Shefi i BE-së në Kosovë: Pres që të themelohen sa më shpejt institucionet e Kosovës

Prishtinë | 13 Mar 2021 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka vlerësuar lartë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit nga Komisioni Qendror Zgjedhor, në një periudhë prej më pak se një muaj nga dita e zhvillimit të tyre.

Përmes një reagimi në Twitter, Szunyog ka thënë se pret që institucionet e Kosovës të themelohen sa më shpejt dhe të fillojnë punën për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

“Vlerësojë aftësinë e KQZ-së që të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve në më pak se një muaj nga dita e mbajtjes së tyre. Pres që institucionet e Kosovës (parlamenti, qeveria dhe presidenti) të themelohen sa më shpejtë dhe të fillojnë të punojnë në dobi të qytetarëve të saj”, ka shkruar ai.

Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave, PDK-ja 17 për qind, LDK-ja 12.73 për qind ndërkaq AAK-ja 7.12 për qind. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës, ndërsa 10 vende u takojnë pakicave jo serbe.

Sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48,87%, apo mbi 800 mijë votues. Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosja ka siguruar 58 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë. Lista Srpska ka siguruar 10 vendet e rezervuara për ta, ndërsa 10 deputetë janë siguruar nga radhët e pakicave jo serbe.

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.

Të ngjashme