Shefi i stafit në Presidencë kritikon Mustafën dhe të tjerët: Kanë instaluar një diktaturë në LDK

Prishtinë | 29 Dhj 2020 | 07:45 | Nga Ekonomia Online

Shefi i stafit në Presidencë, Faton Peci, ka deklaruar se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka thyer tri premtimet që i kishte dhënë kur e kishte marrë udhëheqjen e partisë.

Peci ka thënë në Interaktiv të KTV-së se Mustafa ka thyer premtimin për reformë në LDK, për mosarritje të koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës dhe luftim të SHIK-ut, si e keqja e Kosovës.

“Duhet të bëhet një prerje të ecurisë dhe proceseve sidomos nga viti 2010 që ndërlidhen me kryetarin aktual të LDK-së, z.Isa Mustafa. Është e rëndësishme për opinionin që të ritheksojmë edhe një herë për shkak se është një periudhë e gjatë kohore mirëpo Mustafa në krye të LDK-së ka ardhur në vitin 2010 me tri premtime. Premtimi i parë ka qenë reformë për LDK-në, i dyti ka qenë që një koalicion LDK-PDK është i dëmshëm për LDK-në dhe zotimi i tretë ka qenë se ne do ta luftojmë SHIK-un pasi është e keqja e Kosovës”, ka deklaruar Peci.

Ai tutje ka potencuar se Mustafa ka instaluar brenda partisë diktat dhe diferencim ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

“Në vazhdimësi që nga viti 2010 deri më 2020, fatkeqësisht për kundër këtyre premtimeve që Mustafa i ka dhënë, nuk iu ka përmbajtur këtyre kauzave përpara qytetarëve. Në vend të reformës ka instaluar një diktat dhe një diferencim të gjithë atyre që kanë menduar ndryshe në të gjitha nivelet”, ka theksuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme