Sheholli: Kurti të respektojë vullnetin e serbëve, nëse nuk do trazira dhe ndarje të veriut

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 08:01 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Paralajmërimet e kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, se nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe, nga njohësit e rrethanave politike po shihen si të rrezikshme dhe me pasoja afatgjate.

Fatmir Sheholli, drejtor ekzekutiv i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë për Ekonomia Online se Albin Kurti dhe kushdo që udhëheq me qeverinë e ardhshme duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, të cilat rregullojnë marrëdhëniet ndëretnike.

Ai thotë se mosrespektimi i vullnetit të serbëve të cilët kanë votuar Listën Serbe, mund të prodhojë trazira në veri, madje në të gjitha komunat me shumicë serbe.

Sheholli thotë se si pasojë e mosbashkëpunimit me këtë Listë mund të ketë edhe ndarje të veriut të vendit.

“Nëse nuk e respektojmë vullnetin e popullit serb të cilët e kanë votuar Listën Serbe, ata nesër mund të vendosin barrikada në veri, të na ndajnë veriun dhe pasta çka të bëjmë ne, ta dërgojmë ushtrinë, duket të hymë me KFOR-in dhe NATO-n në aranzhmane të ndryshme dhe kjo do të lë pasoja të jashtëzakonshme, apo edhe me komunat me shumicë serbe në jug që mund të nxjerrin probleme. Prandaj nëse ka këso lloj pretendimesh atëherë nuk jemi në rregull. Pretendimet duhet të jenë demokratike dhe në këtë aspekt mendoj që edhe Kurti e din por janë deklarata politike të rastit”, thotë ai.

Pavarësisht se Lista Serbe është nën dirigjimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiqit, Sheholli thotë se ajo është legjitime, përderisa nuk bën shkelje të Kushtetutës.

Këshillon Kurtin që të mos bëjë deklarata politike, por të veprojë konform ligjeve në fuqi, të cilat garantojnë shtetin multietnik në Kosovë.

“Derisa ajo ekziston është Kushtetuese është ligjore dhe vepron këtu qysh mund të bisedosh me dikend që nuk ka vota fare dhe nuk ka kaluar si deputet, pavarësisht se kush është. Këto deklarata tash të iniciuara nga Kurti natyrisht që menjëherë kanë bërë një hendek të jashtëzakonshëm mes tij dhe Listës Serbe. Nëse ka qenë pretendimi i Kurtit që të arrin efektin në opinion për arsye se ne shqiptarët kemi dëshirë që me vesh të dëgjojmë këso atributesh politike ndaj ish-armikut tonë Serbisë. Por, unë e këshilloj Kurtit që këto deklarata t’i ruan për Aleksandër Vuçiqin, e jo për Listën Serbe që është e regjistruar në KQZ. Pavarësisht që ajo është dorë e zgjatur e Vuçiqit ajo vepron këtu. Ne duhet të sillemi në formë ligjore me ta, nëse e kanë shkel Kushtetutën dhe ligjet, ekzistojnë organet dhe se nuk mundet kryeministri të përzihet në këto çështje. Prandaj ne duhet të veprojmë në këtë frymë, sepse çdo formë tjetër do të na sjell probleme dhe acarim shqiptarë-serbë në tërë territorin e Kosovës”, thotë ai.

Sheholli paralajmëron se në rast se shkelet Kushtetuta dhe nuk pranohet Lista Serbe si e tillë, do të ketë pasoja të tjera politikë.

Pretendimet e Kurtit se liderët e partisë SLS janë të pranueshëm dhe më të mirë për Kosovës, Sheholli i hedh poshtë.

Thotë se të Lista Serbe përbëhet nga deputetë, që dikur ishin pjesë e partisë së Slobodan Petroviqit.

“Nëse shkelet Kushtetuta, atëherë do të kemi pasoja të tjera politike. Ne duhet të veprojmë dhe të kemi një prizëm tjetër ndaj komuniteteve jo shumicë,  e veçanërisht ndaj serbëve. Ka vite që Lista Serbe është në tregun politik të Kosovës dhe ka vite që ata janë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe më duhet t’ia përkujtoj edhe z.Kurtit dhe të tjerëve që pretendojnë që ta bëjnë politike këtë çështje. Lista Serbe përbëhet nga shumë deputetë dhe ministra që kanë qenë dikur në partinë e Slobodan Petroviqin. Ata janë bërthama e Listës Serbe Është kryetari i Komunës së Shtërpcës, deputetë të tjerë dhe ministra e zëvendësministra. Dhe të cilët deri më tani nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës”, thotë ai.

Për këtë  arsyer Sheholli kërkon nga Kurti që të nisë bisedimet edhe me Listën Serbe, pasi që thotë se ajo ka një fuqi të konsiderueshme politike, e cila udhëheq me 10 komuna të vendit dhe tashmë ka 11 deputetë.

“Mendoj që Kurti duhet të konsultohen me njerëz të cilët e njohin thellë Kushtetutën e Kosovës, për arsye se deklarata të tilla mund të sjellin pasoja politike. Unë shpresoj se Kurti do ta sheh atë vullnetin politik çfarëdo qoftë ai, ngase janë organet tjera që vendosin a ka pas presione apo jo. Por në momentin e caktuar ai duhet të reflektojë dhe të komunikojë përveç Rashiqit edhe me njerëz të tjerë, ngase ne nuk kemi ende një verdikt përfundimtar të KQZ-së dhe nëse Kurti do të jenë kryeministër, të ulet dhe të besoj me të gjithë dhe të merr informata, por nuk është ai gjykuesi se kush ka me qenë kryeministër, apo ministër. Mos të harrojmë se Lista Serbe i ka 10 komuna me të cilat udhëheqë sot. Kryetarët e komunave janë të Listës Serbe, i ka 11 deputetë, ka kaluar edhe gorani në këtë Listë”, thotë ai.

Në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, kanë garuar 4 subjekte politike të komunitetit serb. Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, është i vetmi subjekt politik serb që e ka kaluar pragun zgjedhor.

Të ngjashme