Sheholli: Serbia do të synojë me forma ilegale të mbajë zgjedhjet në veri, krerët shtetëror patën presion nga ndërkombëtarët

Prishtinë | 04 Mar 2022 | 15:49 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtuesi i Institutit për Afrimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka thënë serbet për të votuar zgjedhjet e tre prillit që do të mbahen në Serbi, i kanë tre mundësi; votimi me postë, të ketë një zyre ndërlidhëse në Kosovë dhe shkuarja e vetë serbëve për të votuar në Serbi, raporton Ekonomia Online.

Derisa ka folur për këto zgjedhje, Sheholli thotë se medoemos shteti i Serbisë do të tentojë me forma ilegale t’i mbajë zgjedhjet në veri të vendit.

Sheholli ka thënë për Ekonomia Online se njëjtë si në rastin e referendumit po ashtu edhe në këto zgjedhje, lejimi i serbëve për të votuar në Kosovë është shkelje e integritetit territorial të shtetit të Kosovës.

“Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike edhe para mbajtjes së referendumit në Serbi ka dalur me një qëndrim publik që i ka rekomanduar edhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që referendumi si i tillë është shkelje flagrante e integritetit territorial të shtetit të Kosovës dhe siç e dimë të gjithë nuk u lejua. Zgjedhjet e tre prillit që do të mbahen në Republikën e Serbisë gjithashtu edhe me këtë çështje Instituti ynë ka dalur me rekomandim për institucionet tona. Kemi rekomanduar që serbët me nënshtetësi të dyfishtë të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet në Serbi i kanë tri mundësi të tyre të votimit”.

“E para është çështje që kanë të bëjnë me postë. E dyta është që këtu e kemi një zyre të Serbisë në Kosovë e cila nuk është ambasadë për shkak që nuk jemi të njohura, Kosova nuk e njeh Serbinë dhe Serbia nuk e njeh Kosovën por është një oficer ndërlidhës dhe mund të organizohen zgjedhjet në zyre të tij dhe në këtë koncept të votojnë serbët, dhe e treta është që serbët e Kosovës ata që janë të interesuar mund të shkojnë në Serbi dhe të votojnë në vendvotime të cilat hapen atje”, ka thënë Sheholli.

Sheholli thotë se deklaratat e krerëve të shtetit se nuk do të lejojnë të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, janë në përputhje me Kushtetutën, ndonëse thotë se mund të ketë presione ndërkombëtare.

“Deklarata e Kryeministrit Albin Kurti por edhe e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, por edhe e Presidentes Vjosa Osmani si dhe e Ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla janë absolutisht në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në këtë koncept nuk duhet lejuar që këto zgjedhje të mbahen në Kosovë”.

“Tash me siguri pritet që të ketë presione ndërkombëtare në institucionet tona që këto zgjedhje në njëfarë forme të ketë organizime. E dimë që ka pasur presione si Organizata për Siguri dhe në bashkëpunim me Evropian  që OSBE-ja të jetë e kyçur në këtë aspekt dhe të jetë organizatore e këtyre çështjeve por kjo këmbëngulësi e institucioneve të Kosovës të vazhdojë dhe njëherë e përgjithmonë kjo çështje të merr fund ashtu siç mori fund edhe për çështje të referendumit”.

Teksa ka folur për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, njohësi i çështjeve politike serbe, thotë se shteti serb do të mundohet me forma ilegale t’i organizojë këto zgjedhje edhe në veri të Kosovës.

“E para Serbia mund të provojë të ketë forma ilegale të organizimit veçanërisht në veri për arsye që atje janë të koncentruar 90 për qind e serbëve në koncept të homogjenitetit. Po të provojë kjo çështje që ka të bëjë kështu duhet ta dimë që edhe opozita në Serbi nuk do t’i pranojë këto zgjedhje ilegale, për arsye se janë ilegale dhe vetë ky fakt tregon çështjen që ka të bëjë me ilegalitetin e mbajtjes së zgjedhjeve të tyre në një territor tjetër. Besoj që nuk i kanë lënë mendtë Serbinë që t’a provokojnë policinë dhe organet e sigurisë të Kosovës por edhe KFOR-in që të marrin masa ndaj atyre të cilët do të dëshironin edhe të mbanin zgjedhje ilegale të cilat nuk do të jenë valide për shtetin e Serbisë”, ka thënë Sheholli.

“Për trazira, veriu është pak më problematik për arsye se është koncentrimi i popullatës serbe atje më i madh. Kur të kesh punë me një shtet autokrat, diktatorial kurrë nuk mund të hedhësh poshtë mundësitë që me qëllim të acarimit të situatës shqiptaro-serbe që ata t’a bëjnë një formë e cila mund të sjell probleme. Besoj që kryetari i Serbisë, Aleksander Vuçiq nuk guxon edhe pse deklaratat e tij janë që paradite flet diçka tjetër e pasdite diçka tjetër që nuk do të guxojë të ndërmerr hapa të tillë për arsye se do të konfrontohet jo vetëm me organet e sigurisë së Kosovës por edhe me tërë bashkësinë ndërkombëtare nëse nuk lejohen që ato zgjedhje të mbahen e që nuk duhet të lejohet”, ka thënë Sheholli.

Të ngjashme