Sherifi kërkon nga LDK-ja dhe VV-ja të mbledhin nënshkrimet për shpërbërjen e Kuvendit

Prishtinë | 02 Gus 2019 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit të Deputetëve të Nisma0s Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka akuzuar partitë opozitare, LDK-në dhe VV-në, duke thënë se për dy vjet në mënyrë të vazhdueshme kërkuan rrëzimin e Qeverisë dhe thirren shumë seanca të jashtëzakonshme, raporton EkonomiaOnline.

E Sherifi i ka lutur këto dy parti që edhe njëherë të mbledhin 40 nënshkrime dhe të thërrasin seancën për shpërbërjen e Kuvendit, në mënyrë që Thaçi t’i shpallë zgjedhjet menjëherë.

Ky është postimi i Sherifit në Facebook:

Partitë opozitare, në veçanti LDK dhe VV përgjatë dy viteve të kohëzgjatjes së qeverisë në vazhdimësi dhe në mënyrë konsistente kanë bërë vetëm dy gjëra: Që nga dita e parë e votimit të qeverisë kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme si dhe përmes 40 nënshkrimeve të deputetëve kanë thirrur seanca te panumërta të jashtëzakonshme për tema të ndryshme edhe pse shumë prej tyre kanë qenë tema zakonshme!

Krejt çka këto dy parti tani duhet të bëjnë është mbledhja për herë të fundit e 40 nënshkrimeve, të cilat besojmë që ende i kanë, në mënyrë që të thërrasin seancën e fundit të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës, shpërndarjen e kësaj legjislature. Vetëm kështu Hashim Thaçi do të detyrohet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme menjëherë!

Të gjitha deklaratat tjera janë vetëm justifikim dhe asgjë më shumë se justifikim. Vetëm kështu sovrani do të mund ta sheh se kush vërtetë është për shkuarje në zgjedhje dhe kush është duke e bërë këtë vetëm për farsë! Koha është për veprim dhe jo për justifikim.

Të ngjashme