Sherifi: Kurti sa ka qenë në opozitë paska dashur “konflikte e gjakderdhje – ndarjen e Kosovës”

Prishtinë | 06 Pri 2020 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

Bilall Sherifi nga Nisma ka thënë se deklarata e Albin Kurtit se “dikush është për konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi e ndarja e Kosovës” ka befasuar të gjithë ata që kanë pasur mundësi të përcjellin ndryshimin politik të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Gjatë kohës që ishte në opozitë, në të gjitha rastet kur bëhej fjalë për komunat në veri të Kosovës, Albin Kurti kritikonte qeveritë pse nuk përdornin mjetet e nevojshme për të futur nën kontroll këto komuna. Madje ai ishte tepër i zëshëm që për këtë çështje as që duhet të bëhet dialog, sepse kjo çështje lidhet me sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Sherifi përmes Facebook.

“Tani, të gjithë atyre që e kritikojnë për mungesën e strategjisë që të përfshihen të gjithë qytetarët e Kosovës në masat parandaluese nga pandemia e COVID-19, ai u drejtohet me akuze se gjoja kërkuakan “gjakderdhje për ta ndarë Kosovën””.

“Përveç asaj që janë të pa pranueshme, akuzat e tilla nxjerrin në shesh atë çka ka menduar Albin Kurti kur ishte në opozitë: sa herë kërkonte të dëshmohej sovraniteti në tërë territorin e Kosovës, ai paska pasur ndërmend “konflikte e gjakderdhje në terren, që për pasojë do të kishte ndarjen e Kosovës””.

Të ngjashme