Sherifi për Komisionin Hetimor për energji: S’mund të fshihen keqpërdorimet për një kohë të gjatë

Prishtinë | 27 Pri 2022 | 08:43 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi në një intervistë për Ekonomia Online tha se krijimi i komisioneve hetimore është i domosdoshëm. Ngase sipas tij, ushtrimi i pushtetit të opozitës bëhet vetëm përmes komisioneve parlamentare.

Duke folur për Komisionin hetimor për energjinë elektrike, të iniciuar nga opozita e të kundërshtuar  fuqishëm nga mazhoranca, ai thotë se insistimi që ky komision të mosfunksionalizohet ngreh dyshimet që ka të bëjë me aferë korruptive.

“Krijimi i komisioneve hetimore në jetën parlamentare është i domosdoshëm, është një instrument shumë i rëndësishëm që opozita zakonisht e ka në dorë për të hetuar punën e ekzekutivit. Për të hetuar punën e të gjitha mekanizmave të pushtetit, të ja heqësh opozitës komisionin hetimor është njëjtë, është e barabartë të ja heqësh pra të drejtën për të krijuar komision hetimor është sikur kryeministrin të mos ta lësh me hy në zyre me punuar”.

“Kryeministri, Qeveria, ministrat funksionojnë përmes mandatit që ua jep Kushtetuta dhe ligji përmes të cilit ata ushtrojnë pushtetin. Ushtrimi i pushtetit nga ana pozitës bëhet e opozitës përmes komisioneve parlamentare. Pjesa tjetër puna në komisione, puna në seanca ajo është transparent ajo shihet nga të gjithë, por komisionet janë instrument i domosdoshëm për të kryer punën opozita”.

Tutje Sherifi thotë se edhe përkundër insistimet për të mos e formuar këtë Komision, është e pamundur që të fshihet ndonjë keqpërdorim i mundshëm.

“Nëse ajo insiston dhe nuk lejon të krijohet ky Komision, tregon në mënyrë të drejtpërdrejtë se ka çka fsheh. Se çka është ajo që ajo është duke tentuar të fsheh sepse është e pamundur të fsheh në një kohë kur kemi një fuqizim të jashtëzakonshëm të medieve, të analistëve, të komentatorëve të shoqërisë civile është e pamundur të fshehësh diçka, është e pamundur të fshehësh për kohë të gjatë. Unë nuk mundem sot t’i paragjykoj, por sipas të gjitha gjasave bëhet fjalë për një aferë korruptive sepse s’ka arsye tjetër që të fshehësh”.

Ai thotë se Komisioni mund ta hetojë një proces që nga fillimi si dhe ta posedojë në tërësi dokumentacionin, raporton EO.

Sipas tij, shumë kush nuk ka besuar që Albin Kurti në cilësinë e kryeministrit do të bëjë përpjekje për të penguar krijimin e komisioneve hetimore.

“Komisioni zakonisht ka në dispozicion të gjitha rrjedhat e një procesi që nga momenti kur është marrë vendim ka të drejtë të intervistoj personat që kanë pasur mandat për të ekzekutuar një vendim, ka të drejtë të shkoj të kërkoj dokumentacione edhe në gjykatë”.

“Pra tërësinë e dokumentacionit që e ekziston ajo ka të drejtë ta ketë në posedim. Plus ka të drejtë të marr në pyetje dëshmitarët, që nga kryeministri, presidentja, deputetët, ZRrE, ambasadorin që tash po përfshihet në mënyrë indirekte në këtë çështje siç është shitblerja e energjisë përmes një kompanie që dikur kryeministri si opozitar na thoshte është kompani e krijuar nga UDB-ja”.

“Përpjekja e parë për të krijuar krijimin e një Komisioni e kemi këtë legjislaturë fatkeqësisht që shumë kush nuk ka besuar që Albin Kurti në cilësinë e kryeministrit do të bëjë përpjekje për të penguar krijimin e komisioneve hetimore. Por, ja që koha po na e vërteton që jo gjithçka që shkëlqen është ar”.

Të ngjashme