Sherifi: VV-ja përdori tubimin për të rritur numrin e rasteve me Coronavirus

Prishtinë | 13 Qer 2020 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka komentuar tubimin e sotëm të Lëvizjes Vetëvendosje në sheshin e Prishtinë, duke thënë se shëndeti i liderit dhe funksionarëve të VV-së vlejnë më shumë se jeta e qytetarëve të tjerë, qofshin ata edhe militantë të VV-së.

Sherifi përmes një postimi në Facebook ka thënë se është e drejtë e secilit për manifestim demokratik. Mirëpo, përpara rrezikut që i kanoset njerëzimit nga virusi COVID-19, të gjitha shoqëritë e demokracive perëndimore kanë ndërmarrë masat e nevojshme që të shmangin mundësinë e përhapjes së virusit.

“Jeta dhe shëndeti i liderit dhe funksionarëve të VV-së vlejnë më shumë se jeta e qytetarëve të tjerë, qofshin ata edhe militantë të VV-së! Matja e dyfishtë me kut të dyfishtë nga ana e VV-së në rastin e pandemisë! E drejta për manifestim është e drejtë e patjetërsueshme në sistemet politike demokratike”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Sherifi ka theksuar se gjatë periudhës kur ishin në pushtet, qoftë edhe si “Qeveri në Detyrë”, Albin Kurti dhe udhëheqësit e tjerë të VV-së aplikuan rekomandimet e OBSH-së, madje edhe në rastet kur militantët e tyre duhej të protestonin duke shënjuar në rrugë shenjat e distancës së nevojshme ndërmjet protestuesve.

Më tej, ai ka shtuar se nuk mund të përjashtohet mundësia që mosrespektimi i distancës në tubim ka qenë strategji e qëllimshme e VV-së për të akuzuar qeverinë e re si përgjegjëse për rritjen eventuale të numrit të njerëzve të infektuar nga COVID-19!.

Të ngjashme