Shfuqizimi i Speciales rrezikon mosanëtarësimin në BE e NATO, nuk gjykohet një popull veç individët

Prishtinë | 17 Jan 2018 | 10:52 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, pak minuta para se të fillojë mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku në rend dite është Projektligji për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka përsëritur qëndrimin e ShBA-së se kjo iniciativë është e rrezikshme.

Në një prononcim para medieve nga Biblioteka Kombëtare ai tha kjo gjykatë është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai garantoi se ShBA-ja është e përkushtuar që Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, prandaj edhe Kosova duhet që të përmbush obligimet që ka marrë, ngase mund të mos bëhet pjesë e këtyre mekanizmave.

“Jam sot këtu për të folur për drejtësi, jam këtu për të folur për viktimat për përkushtimin e Kosovës ndaj drejtësisë. Ky përkushtim është në kërcënim serioz nga një nismë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Kjo paraqet një rast të tmerrshëm ku interesat personale janë mbi ato shtetërore, deputetët që e mbështetin këtë nismë do të përballen me pasoja dhe ata e dinë këtë”.

“Prandaj, i bëj thirrje popullit të Kosovës për të këmbëngulur që udhëheqësit e tyre të mbrojnë të drejtën për drejtësi që e keni fituar me çmim kaq të lartë. Pyetini këtë: “Çfarë shteti dëshironi që të bëhet Kosova?”.

“A dëshironi që Kosova të jetë vend ku sundimi i ligjit nuk zbatohet për ata që kanë pushtet ose miq politikë? A dëshironi që Kosova të jetë vend ku kriminelët nuk përballen me kurrfarë pasojash për krimet e tyre? A dëshironi që Kosova të jetë vendi i lënë prapa kur të tjerët t’i bashkohen Bashkimit Evropian?”.

“Apo mos dëshironi që Kosova të jetë vend ku respektohet sundimi i ligjit, që mbron të drejtat e viktimave dhe që e merr vendin e vet të duhur si anëtare e respektuar e bashkësisë ndërkombëtare dhe aleate me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?”.

“Ky është vizioni im për të ardhmen vendit tuaj. Nëse e ndani këtë vizion, qëndroni përkrah drejtësisë.  Qëndroni përkrah viktimave. Qëndroni me mua kundër këtij tentimi për shthurjen e përkushtimit të Kosovës për Gjykatën Speciale. Nuk dua asgjë më shumë se sa të shoh Kosovën që ka arritur të bëhet shtet i drejtë, i njohur, dhe i suksesshëm. Jam këtu që të punoj me juve, dhe shpresoj se ju do të punoni me mua. Ju faleminderit shumë”.

Sipas tij, Gjykata Speciale nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etnie.

“Kosova duhet ta përmbyllë këtë kapitull të saj edhe nëse kjo nënkupton që disa udhëheqës të kohës së luftës të japin llogari. Ne kemi investuar në sistemin e drejtësisë në Kosovë, por ky sistem ende nuk e ka dëshmuar që është i aftë të ndaj drejtësi në nivel të lartë dhe dëshmitarët vazhdojnë të janë ende më cak të dhunës”.

“Viktimat rastet e të cilave do të shqyrtohen në Gjykatën Speciale mund të jenë të të gjitha etnive. Gjykata nuk ka të bëjë me një grup etnik, ajo është bërë për të sjellë drejtësi për viktimat individuale. Viktimat përfaqësojnë shumë etni, shqiptarë, serbë, romë”, tha ai, rapoton EO.

“Jam duke thirrur qytetaret e Kosovës që të thërrasin politikanët për këtë. A dëshironi që Kosova të jetë një shtet ku kriminelët nuk paguajnë për punët e tyre? A dëshironi që Kosova të jetë një shtet jashtë Bashkimit Evropian?”, tha Delawie.

Delawie, gjithahstu ka kërkuar që vrasësit e Oliver Ivanovqit të sillen para drejtësisë.

“I shpreh ngushëllime familjes dhe kërkoj që sa më shpejt dorasit e këtij krimi të dalin para drejtësisë”.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku pritet të shqyrtohej përsëri futja në rend të ditës e shfuqizimit të Gjykatës Speciale ishte caktuar të mbahet më 15 janar, por ishte shtyrë për sot.

Megjithatë, iniciative e 22 dhjetorit të vitit të kaluar do të vazhdojë. Pamundësia për kuorum në dy mbledhjet e Kryesisë së asaj nate, e dështuan këtë iniciativë.

Kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë e ka hequr barrën nga vetja duke thënë se një vendim i tillë u takon deputetëve, derisa presidenti Hashim Thaçi është shprehur kundër Speciales.

Ndërsa kreu i PDK-së, Kadri Veseli, përmes një kolumne tha se kjo gjykatë nuk mund të ndalohet.

Të ngjashme