Shkarkimet e Hotit, dy të emëruar në kohën e PAN-it, një në kohën e Kurtit

Prishtinë | 17 Tet 2020 | 08:44 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dje ka marrë tri vendime për shkarkimin e tre krerëve të tre institucioneve tejet të rëndësishme për shtetin.

Hoti ka shkarkuar për shkak të performancës kreun e Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn, i cili në këtë pozitë kishte ardhur gjatë kohës sa në kryet të ekzekutivit kishte qenë PDK-AAK dhe NISMA, raporton Gazeta Express.

Në vend të Qalajt ai ka emëruar si ushtrues detyre Samedin Mehmetin i cili ka qenë zëvendësdrejtor i PK’së.

Hoti ka shkarkuar gjithashtu edhe drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajn, i cili njëjtë sikurse Qalaj ishte emëruar gjatë qeverisjes së PAN-it.

Njeriu i tretë që është shkarkuar dje nga Hoti është shefi i Doganave, Ibrahim Xhaka i cili ishte emëruar gjatë kohës sa Albin Kurti ishte kryeministër i Kosovës.

Për reagimin e Rashit Qalajt ka pasur reagime të ashpra nga Partia Demokratike e Kosovës, duke e akuzuar Hotin se po tenton të kap shtetin dhe gjithashtu e kanë lidhur me arrestimin e Haki Rugovës.

Megjithatë deri tani as Hoti e as Agim Veliu s’kanë dhënë ndonjë sqarim shtesë se pse është shkarkuar Qalaj, përveç punës së performancës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme