Shkarkimi i Dakës, Cakolli: Vendim puro-politik, emërimi i ri një lloj degradimi

Prishtinë | 14 Qer 2021 | 18:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shkarkimi i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Dakaj, është puro-politik thotë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se  shkarkim i Dakës nga presidentja Vjosa Osmani  do të ndikojë dukshëm në mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor, e sidomos në prag të zgjedhjeve lokale.

“Sot pra ka marrë formë një iniciativë tash e disa javë për shkarkimin  e Valdete Dakës e kryesisht për arsye të cilat ne si organizata të shoqërisë civile i konsiderojmë puro-politike, sepse ndryshe nuk mund të vlerësohen arsyetimet e dhëna nga ana e presidentes në letrën për shkarkimin e ish kryetares tashmë të KQZ-së, Valdete Daka ku përmenden situata e çështje për të cilat znj. Daka ka votuar kundër si dhe të cilat janë propozuar nga anëtarët e tjerë të KQZ-së të cilët janë përfaqësues të partive politike”, tha Cakolli.

“Në rast se do ndiqej kjo linjë, atëherë i bie që në radhë të parë do duhej të shkarkoheshin edhe anëtarët e KQZ-së  dhe jo Daka meqenëse atribuomi i të gjitha përgjegjësive të KQZ-së unë besoj që përbën në rastin më të thellë mbi njohuritë se si funksionojnë sistemet zgjedhore, dhe flet për një vendim të motivuar si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga mënyra e publikimit të tij. Pra që nga mëngjesi kemi pasur informacione se presidentja ka kërkuar dorëheqjen e saj si një lloj mirënjohje për punën e saj, dhe kjo tregon për vendosjen si në pazar të KQZ-së e që unë vlerësoj se është veprim i gabuar dhe  do përbëjë rrezik shumë të madh të funksionalitetit të këtij  institucioni”.

Tutje Cakolli tha se emërimi i gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi në krye të KQZ-së, përbën një lloj degradimi, për faktin se më herët ka qenë udhëheqëse një gjyqtare e Supremes (Valdete Daka).

Më tej, ai tha se kjo do ndikoj në përçarje pozitë e opozitë, por edhe probleme të shumta në administrimin e procesit zgjedhor.

“Tashmë kemi një kryetar të ri që është emëruar nga rangu i Gjykatës së Apelit, që edhe pse është e lejuar me Kushtetutë unë besoj që përbën një lloj degradimi, meqenëse nga një ish-gjyqtare e Gjykatës Supreme po lëshohemi në një rang me poshtë, por nuk dua të lëshohem në gjykimin mbi performancën eventuale të kryetarit të ri. E sa i përket funksionimit të KQZ-së tash kemi një kryetar të ri e që potencialisht do jetë me një diskurs tjetër, por që atmosfera do të tensionohet edhe më tej, dhe pres që partitë tjera të kundërshtojnë mënyrën dhe pastaj do ndikojë edhe në raportet të kryetarit të ri dhe pozitë e opozitë, dhe besoj që do kemi probleme të shumta në administrimin e procesit zgjedhor”, theksoi tutje Cakolli për Ekonomia Online.

Lexo më shumë:

Të ngjashme