Shkelet ligji, anëtari i Bordit të ARKEP-it paguhet edhe pas pensionimit

Prishtinë | 29 Qer 2019 | 08:07 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bordi i Autoritetit Rregullativ të komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), e mban në listën e pagave anëtarin e Bordit, Nijazi Ademajn edhe pse ky i fundit ka dalë në pension.

Ligji për Komunikime Elektronike, neni 80, paragrafi 1.7 specifikon qartë se anëtarit të Bordit të ARKEP-it i përfundon mandati “kur i plotëson kushtet për dalje në pension”.

Ekonomia Online, ka marr një prononcim nga Nijazi Ademaj, i cili e pranon që më 14 prill të këtij viti i ka mbushur 65 vjet.

Ai pretendon se ka ende mandat për të qenë pjesë e Bordit të ARKEP-it.

 “Unë me 14 prill të këtij viti kam dal në pension domethënë kam mbushur 65 vite me të cilat janë plotësuar kushtet për daljen time në pension. Unë vazhdoj të jem anëtar i ARKEP-it. Për mua ky është mandati i dytë i të qenurit anëtar, sepse edhe ashtu ligji i komunikimeve postare e lejon që anëtar i bordit mund të jetë për dy mandate. Unë vazhdoj të jem anëtar i bordit të ARKEP-it jo që unë po dua, po ligji i komunikimeve postare e citon mirë se mandati i anëtarit të Bordit vazhdon derisa sa të zgjidhet anëtari i r i bordit”, thotë ai.

Ademaj thirret në nenin 78, paragrafi 3 të po këtij ligji, i cili thotë se “Kur mandati i anëtarit të Bordit i përfundon, i njëjti vazhdon të kryejë funksionet e tij derisa të  zgjidhet anëtari i ri i Bordit, në pajtim me paragrafin 1. dhe 2. të këtij neni”.

Mirëpo, Ligji në këtë rast është i qartë, ngase Ademaj nuk e ka përfunduar mandatin, por ka dalë në pension dhe këtu nuk vlen neni 78, por neni 80.

Ademaj, megjithatë thotë se ka njoftuar edhe Qeverinë dhe institucionet tjera përgjegjëse për daljen në pension dhe se është duke pritur përgjigje.

“Ju njoftojmë se sipas nenit 80 pika 1.7 e Ligji Nr. 04/L-109 për Komunikime Elektronike, zt. Nijazi Ademaj, anëtar i Bordit të Autoritetit për Komunikime – Elektronike dhe Postare,  me datën, 14 Prill 2019, i mbush 65 vjeç, pra e plotëson kushtin e pensionimit”, thuhet në e-mailin e Zyrtarit Ndërlidhës me Institucionet dhe Agjencitë e Pavarura, Fehmi Pireva, dërguar Sekretarit të Qeverisë, Fitim Krasniqit.

Për këtë rast është në dijeni edhe kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala. Por si duket edhe kjo nuk e ka të qartë Ligjin për Komunikime Elektronike.

“Po jam e njoftuar kam marrë shkresë dhe njoftim nga ARKEP që ai ka dal në pension. mirëpo ligji për komunikimet elektronike nuk ka dispozitë të posaçme që i rregullon rastet kur një anëtar i bordit nuk i skadon mandati i marrjes së ushtrimit të detyrës te kryesit të detyrës edhe në rast kur mund të del ne pension gjatë atij mandati, domethënë si rasti i z. Ademaj, as ligjet tjera jam konsultuar edhe me ligjet e tjera nuk i specifikojnë për rastet kur anëtarët e bordit votohen në kuvend”, thotë ai.

Berisha-Shala pretendon se mosshkarkimi i Ademajt ka ndodhur për shkak të mos krijimit të vakuumit në këtë Bord.

“Kemi raste  kur anëtarë të bordit që janë në bordet qeveritare janë specifika të tjera, ndërkohë që tek ligji për komunikime elektronike thuhet se anëtari i bordit edhe pasi të i skadon mandati ai vazhdon me i krye obligimet dhe detyrat deri sa të zëvendësohet nga anëtari tjetër deri sa kuvendi ta emërojë një anëtar tjetër ai duhet të vazhdoj të kryej detyrat e veta.Por edhe këtë çështje Ligji për Komunikime Elektronike e precizon qartë”.

Në nenin 79 që rregullon vendimmarrjen dhe strukturën e Bordit të ARKEP-it, thuhet se Bordi mund të jetë funksional me vetëm tre anëtarë, ndërsa ky bord përbëhet nga gjithsej 5 anëtarë.

“Bordi merr vendimet me shumicë votash, kur janë të pranishëm të paktën tre (3) anëtarë. Secili anëtar, duke përfshirë edhe kryesuesin, ka të drejtën e një vote dhe votat e shumicës së votuesve duhet të jenë prezentë për çfarëdo çështjeje që ka të bëj me punën e Autoritetit. Në rast se ndodh bllokim i votimit, si rezultat i votave të barabarta, atëherë vota e kryesuesit ka peshë më të madhe dhe është vendimtare”.

Sala Berisha-Shala edhe pse është në dijeni për këtë rast, nuk e ka njoftuar ende Kryetarin e Kuvendit.

 “Nuk ma merr mendja se është i njoftuar për arsye se po të është i njoftuar besoj se do ta përshpejtonte shpalljen e konkursit dhe të mos lente ndonjë keqkuptim eventual të tjerëve. Por unë po vlerësoj se Kryetari Veseli është jashtëzakonisht i ngarkuar me punë dhe nuk ka arritur me marrë si informacion këtë rast të këtij bordi, në këtë rast bordit të ARKEP-it dhe z.Ademit.

Megjithatë, thotë se shumë shpejt do të hapet konkursi për këtë pozitë.

“Unë po besoj se në mbledhjen e ardhme të komisionit për shkak të një transparence do të njoftoj edhe kolegët e mijë anëtarët e komisionit me këtë rast dhe aty do të ti njoftoj dhe do ta komunikoj edhe njoftimin që do ti bëjmë ne si komision. dhe do ta komunikoj në komision se kështu është rasti me një anëtar të bordit të ARKEP-IT e menjëherë do të vazhdojë me procedurat e njoftimit te z. Veseli për këtë rast”, thotë ajo.

E deri të ndodh kjo, Nijazi Ademaj edhe pse tashmë i pensionuar, do të vazhdojë jashtëligjshëm të marr rreth 1 500 euro pagë në muaj, pa llogaritur beneficionet tjera, si përdorimin e veturës zyrtare, mëditjet, telefonin, por edhe udhëtimet jashtë vendit.

Po ashtu sipas Ligjit vendimet e marra nga Bordi i ARKEP-it, me votën e anëtarëve jofunksional, në këtë rast të Nijazi Ademajt, do të mund të kontestohen në gjykata.

Ekonomia Online ka kërkuar zyrtarisht nga ARKEP përgjigje në lidhje me këtë çështje, por që nuk ka marrë përgjigje për një javë rresht.

Të ngjashme