Shkullaku: Energjitë e Kurtit janë të fokusuara në politikat e brendshme

Prishtinë | 22 Mar 2021 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Analisti Armand Shkullaku e quajti modest Albin Kurtin në ekspozenë e tij në seancën parlamentare ku u konfirmua si kryeministër i Kosovës.

Sipas Shkullakut, Kurti ka lënë të kuptohet që brezi i ri do të lë pas konfliktet dhe të merret me punët e Kosovës, sidoqoftë shprehu dëshirën sikur Kurti të ishte më konkret në fjalimin e tij.

“U vu re në fjalimin e parë në ditën kur doli rezultati pati një lloj modestie. Dhe në fjalimin e tij, herë pas here pashë që përsëriti idenë e bashkëpunimit, bashkërendimit që oastja i takon politikës së jashmte por duke lënë të kuptohet që brezi i ri do t’i lë pas konfliktet dhe të merret me punët e Kosovës ”, ka thënë Shkullaku në Rubikon të Klan Kosovës.

Shkullaku thotë se do të kishte preferuar sikur në fjalimin e tij Kurti, ndonëse nuk do të mund të futej në detaje, së paku të ishte më konkret në programin e tij.

“Në fjalimin e kryeministrit do të kishte qenë e udhës të kishim edhe disa objektiva konkrete, jo me hy në detaje se s’mundesh në fjalim, është falënderues më tepër se prezantues ”, tha Shkullaku, duke shtuar se i pari i qeverisë së re duhej t’i shpaloste synimet që i ka dhe kohën e përafër për realizimin e tyre.

“Nga fjalimi i Kurtit edhe nga përbërja e qeverisë mendoj që fokusi i Kurtit vetë do të jetë politika e brendshme”, ka thënë Shkullaku duke listuar ekonominë dhe luftën ndaj korrupsionit.

“Energjitë e Kurtit janë të fokusuara në politikat e brendshme”.

Shkullaku nuk sheh majtizëm të skajshëm të cilin sipas tij Lëvizja Vetëvendosje e ka paraqitur sa ka qenë në opozitë, dhe se pret modifikim dhe reformim.

“Unë e shikoj paralajmërimin që qeveria do të jetë e modifikuar dhe e reformuar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme