Shoqata për Fibrozë Cistike proteston para MSH-së

Prishtinë | 06 Maj 2022 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Shoqata për Fibroze Cistike ka mbajtur protestë para Ministrisë së Shëndetësisë të premten.

Ata janë ftuar në takim brenda Ministrisë dhe u është premtuar zgjidhje.

Qëllimi i protestës ishte realizimi i listës së re të barnave esenciale, e nënshkruam më 20 shtator të vitit 2019, si dhe realizimi i repartit për fëmijë me fibrozë cistike.

“Me kabinetin e ministrit pritëm delegacionin e Shoqatës dhe i njoftuam se jemi në proces të sigurimit të barnave për fibrozë cistike. Ajo çfarë mund të them në aspektin teknik është sigurimi i Creonit që ndodh nga buxheti i shtetit. Është hera e parë. Ndërsa deri tani siç e dini edhe ju është siguruar nga donacione të ndryshme. Kontrata ka kaluar të gjitha bazat e parapara me legjislacionin në fuqi dhe pritet brenda ditëve të nënshkruhet dhe furnizimi të fillojë poashtu brenda ditëve”. Sa i përket dy produkteve të tjera që janë patjetër të varur pacientët me fibrozë cistike, janë edhe ato në proces e sipër dhe ndoshta do të zgjasë, do të marrë pak kohë. Këtu po flasim për javë, disa muaj, por duke respektuar të gjitha procedurat ligjore ne iu sigurojmë se në të ardhmen shumë të afërt do t’i sigurojmë për pacientët Nuk do të neglizhojmë në asnjë moment realizimin dhe implementimin e këtyre aktiviteteve. Ne si Ministri e Shëndetësisë bashkëndjejmë me familjarët dhe pacientët qe kanë nevojë të madhe për sigurimin e këtyre barnave”, ka thënë sekretari i MSH-së, Naim Bardiqi

Sherif Uka, përfaqësues i kësaj Shoqate, ka thënë se Ministria u premtoi fjalë të mira e tash do të presin për zgjidhje.

Të ngjashme