Shoqëria civile kërkon nga deputetët miratimin e Projektligjit për financimin e subjekteve politike

Prishtinë | 16 Mar 2022 | 10:30 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizatat e shoqërisë civile KDI, D4D, D+, FOL dhe Çohu përmes një konference për medie kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojnë Projektligjin për financimin e subjekteve politike, raporton Ekonomia Online.

Në emër të shoqërisë civile foli Eugen Cakolli, i cili tha se kjo është legjislatura e tretë që ky Projektligj sillet në Kuvend, por që ka dështuar të miratohet.

“Kuvendi i Kosovës pritet që sot ta shqyrtojë Projektligjin për financimin e subjekteve politike, që në fakt është hera e tretë, përkatësisht legjislatura e tretë që ky Projektligj vjen në procedurë ligjvënëse, mirëpo si rezultat i dështimeve për miratimin e tij, ende nuk kemi projektligj për financimin e subjekteve politike i cili i përshtatet kontekstin e aktualitetit politik”, tha ai.

Cakolli tha se ky dështim ka cenuar transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, teksa thotë se ato marrin 4.2 milionë euro nga buxheti i shtetit.

“Dështimi për shqyrtimin dhe miratimin e këtij ligji tejet të rëndësishëm ka cenuar vazhdimisht transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, të cilat marrin çdo vit mbi 4 milionë euro nga buxheti i shtetit, si dhe paraqet regres në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA)”.

Cakolli tha se ky projektligj reflekton edhe opinionin komisionit të Venedikut dhe është në përputhje me këtë opinion.

“Projektligji i ri për Financim të Subjekteve Politike adreson në masë të madhe shqetësimet lidhur me mungesën e transparencës financiare të subjekteve politike. Duke ditur dështimet dhe vonesat e shumta në përzgjedhjen e auditorëve nga Kuvendi, me anë të këtij projektligji, kompetenca për përzgjedhjen e auditorëve kalohet tek Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, të cilës i është siguruar një nivel i lartë i pavarësisë funksionale dhe buxhetore. Po ashtu, janë definuar kontributet që mund të marrin subjektet politike, si dhe masat sanksionuese në rast të shkeljeve. Njëkohësisht, rikujtojmë që ky projektligj është në përputhje me opinionin e Komisionit të Venedikut si dhe kërkesave dhe rekomandimeve të kahmotshme të shoqërisë civile”, tha ai.

“Ne, organizatat e shoqërisë civile, vlerësojmë që zvarritja e mëtutjeshme e këtij projektligji është e paarsyeshme, si dhe dëmton integritetin e subjekteve politike dhe besueshmërinë e publikut ndaj tyre. Ne mirëkuptojmë qëndrimet e ndryshme që mund të kenë subjektet politike lidhur me projektligjin si tërësi apo pjesë të caktuara të tij, megjithatë, kërkojmë që këto qëndrime të shprehen dhe të përkthehen në kontribut gjatë shqyrtimit të projektligjit në mes të dy leximeve”.

“Prandaj, ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të pozitës ashtu edhe të opozitës, që të votojnë për miratimin e këtij projektligji në parim pa vonesa të mëtutjeshme. Ne do të vazhdojmë ofrimin e ekspertizës tonë përmes rekomandimeve konkrete në funksion të avancimit të projektligjit gjatë diskutimeve në periudhën mes dy leximeve. Gjithashtu, ne do të monitorojmë nga afër punën e trupave të Kuvendit që do të jenë të përfshira në shqyrtimin e këtij projektligji”, tha Cakolli.

Të ngjashme