Sveçla: Dëshmi e pakundërshtueshme e ndërhyrjes ruse në veri të Kosovës

Prishtinë | 07 Gus 2022 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pas shpalljes person i padëshirueshëm të gazetares Daria Aslamova ka thënë se ndalimi i saj është dëshmi e pakundërshtueshme e ndërhyrjes ruse në veri të Kosovës.

Sveçla me anë të një reagimi në Twitter është shprehur se kjo ka ndodhur në të njëjtën ditë kur është sulmuar policia e Kosovës dhe vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës në veri të vendit.

Ai ka thënë se Daria Aslamova është spiune e konfirmuar ruse e angazhuar në propagandë lufte në Ukrainë.

“Në të njëjtën ditë që policia jonë u sulmua nga bandat kriminale dhe vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës, Daria Aslamova, një spiune ruse e angazhuar në propagandën e luftës në Ukrainë është arrestuar duke tentuar të hyjë në Kosovë nga Serbia – dëshmi e pakundërshtueshme e ndërhyrjes së Rusisë në veri të Kosova”, ka njoftuar Sveçla.

Ai gjithashtu ka treguar se Aslamova është shpallur non-grata për pesë vitet e ardhshme në Kosovë.

“Sot në autoritetin tim si Ministër i Punëve të Brendshme, e kam shpallur Daria Aslamovën persona non grata në Republikën e Kosovës për pesë vitet e ardhshme”, ka përfunduar ai.

Aslamova është arrestuar nga Policia e Kosovës në veri të vendit, më 6 gusht.

52-vjeçarja nga Rusia, është korrespodente speciale për të përditshmen ruse Komsomolskaya Pravda. Kjo gazetë njihet për qëndrimet e saj pro-Kremlinit.

Ajo ka punuar edhe në Ukrainë si korrespondente lufte për kanalin që përhap propagandë ruse, Tsargrad. Ajo është parë si gazetare në shumë zona të luftës përfshirë Çeçeninë, Abhazinë, Nagorno-Karabakun, Osetinë, Taxhikistanin dhe ish-Jugosllavinë. 

Të ngjashme