Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj do të udhëheqin ekipin negociator të Kosovës

Prishtinë | 03 Dhj 2018 | 23:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, do të jetë bashkëkryesues i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, shkruan Periskopi, duke u thirrur në burime të saj.

Ahmeti këtë ekip do ta kryesojë së bashku me kryetarin e Nismës, zëvendëkryeministrin Fatmir Limajn.

Periskopi raporton se Ligji mbi negociatat si dhe Ekipi negociator i Kosovës në dialogun me Serbinë do të votohen në seancën e nesërme në Kuvend.

Partitë politike muaj më parë kanë nisur bisedimet për çështjen e krijimit të ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Votimi i nesërm nuk është paraparë në agjendën të cilën e ka prezantuar kryesia sot por sipas burimeve bëhet e ditur që marrëveshja mes parrtive është arritur sonte në orët e vona.

PSD-ja ka 11 deputetë në Kuvendin e Kosovës, që në fakt janë fituar si pjesë e Vetëvendosjes.

Ky vendim vjen në ditën e njëjtë kur krerët e shtetit patën takime me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Qeveria e Kosovës, në shtator të këtij viti, në krye të këtij ekipi kishte emëruar kryetarin e Nismës dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limajn. Ekipi do të ketë përfaqësues të koalicionit qeveritar si dhe ka vendet e rezervuara për ekspertë nga shoqëria civile si dhe përfaqësues të opozitës.

Të ngjashme