Shpeshtohen thirrjet ndërkombëtare për formimin e qeverisë së re

Prishtinë | 05 Dhj 2019 | 08:05 | Nga Ekonomia Online

Pak ditë pas takimit të fundit mes Kurtit e Mustafës LDK-ja ka dalë me një qëndrim zyrtar, përmes të cilit ka kërkuar marrëveshje të baraspeshuar me Vetëvendosjen. Ndonëse nuk është specifikuar më shumë rreth kësaj LDK-ja prej përfundimit të zgjedhjeve po synon ta marrë garancinë për postin e presidentit. Meqë ende s’ka një marrëveshje finale, ndërkombëtarët ditët e fundit i kanë intensifikuar thirrjet për formim sa më të shpejtë të qeverisë së ardhshme, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndonëse ka kaluar më shumë se një javë prejse është certifikuar rezultati i zgjedhjeve parlamentare, LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk e kanë konkretizuar marrëveshjen finale. Para pak ditësh është mbajtur një takim mes liderit të LVV-së Albin Kurtit dhe atij të LDK-së Isa Mustafës, i cili gjithashtu ka rezultuar pa ndonjë ujdi konkrete, ani pse të dyja palët në vazhdimësi qenë zotuar se marrëveshja do të ndodhte menjëherë pas certifikimit të rezultateve. Nga LDK-ja po këmbëngulin që në kuadër të marrëveshjes duhet të hyjë edhe posti i presidentit, i cili në këtë rast do t’i përkiste partisë së Isa Mustafës. Dy ditë pas takimit të fundit mes kryetarëve të të dyja partive, LDK-ja ka dalë me një komunikatë, përmes së cilës ka theksuar se LDK-ja dëshiron një marrëveshje të baraspeshuar. Ndërkohë përfaqësuesit e LVV-së kanë thënë se LDK-ja duhet ta pranojë faktin se Vetëvendosja ka dalë subjekti fitues i zgjedhjeve. Meqë akoma nuk ka një marrëveshje përfundimtare, ndërkombëtarët kanë nisur t’i intensifikojnë thirrjet për formim sa më të shpejtë të qeverisë së re.

LDK: Diskutimet me LVV-në, pa u nënshtruar presioneve të askujt

Pas zhvillimeve të fundit rreth negociatave LVV – LDK, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë gjatë ditës së djeshme, përmes së cilës është thënë se LDK-ja është e përkushtuar të respektojë dhe të zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit. “Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, duke u bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në këtë njoftim, të cilin e ka publikuar edhe nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani, thuhet se ky subjekt dëshiron një marrëveshje të baraspeshuar. “Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshjeje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK-së dhe LVV-së, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim pa u nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm e racional”, theksohet në këtë komunikatë.

Gjersa ka folur rreth këtyre zhvillimeve nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, ka thënë se nuk mund të thuhet ende asgjë rreth takimeve të radhës të përfaqësuesve të të dyja partive, megjithatë ajo ka pohuar se do të vazhdojnë diskutimet me LDK-në. “Bisedimet do të vazhdojnë, është e vërtetë se kemi një moment reflektimi, por meqenëse i kemi dakorduar çështjet programore tash mbetet të harmonizohet edhe kjo pjesa tjetër”, ka deklaruar Kollçaku.

Ajo me këtë rast ka thënë se duhet të pranohet fakti se LVV-ja është partia fituese e zgjedhjeve dhe marrëveshja të bëhet duke u bazuar në Kushtetutë. “Duhet të respektohen procedurat edhe rezultati i zgjedhjeve dhe të bëhet një marrëveshje, e cila është edhe e bazuar në Kushtetutë, por edhe një marrëveshje që do të jetë në të mirë të qytetarëve”, ka shtuar ajo.

Weberi bisedon me Kurtin e Mustafën rreth negociatave

Të mërkurën lideri i LDK-së Isa Mustafa ka pritur në takim kryetarin e Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber. Me këtë rast Mustafa ndër të tjerash e ka njoftuar Weberin për ecurinë e bashkëbisedimeve me LVV-në drejt formimit të koalicionit bashkëqeverisës. Mustafa, siç është thënë në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja, ka njoftuar kryetarin e EPP-së për bashkërendimin e programit qeverisës me Vetëvendosjen dhe për nisjen e fazës përfundimtare të arritjes së marrëveshjes.

Kreu i grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, pas takimit që ka zhvilluar dje me zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka qëndruar edhe në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Në takimin që ka pasur me liderin e LVV-së Albin Kurtin, siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga LVV-ja, Kurti e ka njoftuar Weberin për prioritetet e qeverisë së ardhshme. “Kurti e njoftoi atë edhe me prioritetet e qeverisë së re, ku rol qendror ka luftimi i krimit të organizuar, i korrupsionit të lartë dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Me mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe me investime nga jashtë e sidomos nga diaspora, me sistemin dual të arsimit që e zvogëlon hendekun e shkathtësive, edhe do ta përparojmë Kosovën përbrenda, edhe do të avancojmë drejt BE-së”, theksohet në komunikatë.

Heldt kërkon formim të institucioneve

Meqë ende nuk ka diçka konkrete sa i përket marrëveshjes për bërjen e qeverisë së re, diplomatët ndërkombëtarë kanë nisur ta shtojnë presionin për formim sa më të shpejtë të institucioneve. Lidhur me këtë gjatë ditës së djeshme ka folur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili ka kërkuar që qeveria e re e Kosovës të formohet sa më shpejt që është e mundur. “Ekziston një numër i madh i sfidave premtuese me të cilat mund të përballet qeveria e ardhshme. Formojeni këtë qeveri sa më shpejt që është e mundur, mblidheni Parlamentin pasi ka shumë punë që duhet bërë. Arsimi është kyç, pastaj tregu i punës”, ka deklaruar ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën dy muaj më parë, gjegjësisht më 6 tetor të këtij viti.



Të ngjashme