Shqipe Pantina ambasadore në Japoni, Anita Haradinaj e Aida Dërguti në rrugë për diplomate

Prishtinë | 07 Tet 2020 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Eksponentë dhe familjarë të partisë e cila udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ia kanë mësyrë për t’u bërë diplomatë. Partia Socialdemokrate nuk kishte arritur të merrte asnjë ulëse në Kuvend nga koalicioni me AAK-në në zgjedhjet e 6 tetorit, as nuk i ishte ndarë ndonjë ministri.

Por, megjithëkëtë, Ramush Haradinaj dhe PSD-ja nuk e kishin shkëputur bashkëpunimin.

Ish-kandidatja për deputete nga kjo parti, Shqipe Pantina, pritet të propozohet ambasadore në Japoni, me çelës politik. Në garë për t’u bërë pjesë e shërbimit diplomatik është edhe gruaja e ish-kryeministrit Haradinaj, Anita.

Para tre muajsh Ministria që drejtohet nga Meliza Haradinaj (AAK) ka hapur konkurs për 15 nëpunës, të cilët do të shpërndahen nëpër misione konsullore. “Koha Ditore” merr vesh se Anita Haradinaj, gruaja e ish- kryeministrit Haradinaj, si dhe ish deputetja e PSD-së, Aida Dërguti, janë në proces të rekrutimit.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka komentuar nëse Dërguti e Haradinaj janë në mesin e të përzgjedhurave.

“Procesi i përzgjedhjes së nëpunësve konsullorë është në vazhdim e sipër, sipas udhëzimeve dhe rregullave në fuqi. Momentalisht brenda MPJD-së janë duke u trajtuar ankesat e kandidatëve që kanë aplikuar në këtë proces”, thuhet në përgjigjen fillestare. Por në një version tjetër të përgjigjes MPJD-ja e ka hequr pjesën e dytë të përgjigjes që flet për ankesat e kandidatëve.

Gazeta nuk ka arritur të vërë kontakt me Haradinajn e Dërgutin.

Kjo e fundit ishte lidhur me një kalim të mundshëm në AAK pasi vendosi ta braktiste dhe të mos jetë kandidate për deputete në Listën e PSD-së.

Burime të gazetës kanë thënë se ky konkurs nuk e ka as miratimin e dikasterit të Administratës Publike që tani funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gazeta ka dërguar pyetje para disa javësh në këtë ministri, por kanë munguar përgjigjet. Një nga kandidatët që ka marrë pjesë në test pranues për nëpunës konsullor dhe më herët ka punuar në MPJ i ka thënë gazetës se vetëm një pyetje ka qenë “konsullore”.

“Të tjerat nuk ishin as për diplomaci, por për marrëdhënie ndërkombëtare”, ka thënë kjo kandidate.

Në MPJD kanë thënë se nuk u duhet aprovim nga institucionet e tjera për këtë konkurs.

“Konform legjislacionit në fuqi dhe udhëzimeve të MPJD-së, ministri/ministrja e MPJD-së ka të drejtë të lëshojë vendim për hapjen e konkursit për nëpunës konsullor, rrjedhimisht, sipas legjislacionit në fuqi nuk kërkohet aprovim nga institucionet e tjera respektive, sepse anëtarët e shërbimit të jashtëm nuk u nënshtrohen rregullave të shërbimit civil, për shkak të specifikave të veçanta”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të MPJD-së.

Por sipas nenit 12 të Ligjit për Shërbimin Civil, “pozitat e karrierës dhe të jokarrierës miratohen nga qeveria, për institucionet e ekzekutivit, pas propozimit të institucionit përkatës dhe aprovimit të ministrisë përgjegjëse për administratë publike dhe ministrisë përgjegjëse për financat”.

Të ngjashme