Shqipëria e gatshme të zbatojë Rezolutat e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 13:59 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka pritur në një takim një delegacion të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Nënkryetarja, Aida Dërguti.

Delegacioni kosovar e informoi Ruçin mbi dy Rezolutat e miratuara ditët e fundit prej Kuvendit të Kosovës, atë “Për heqjen e roamingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, dhe tjetrën “Për heqjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në pikat kufitare: Vërmicë, Qafë Prush, dhe Qafë Morinë”.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë u shpreh dakord me propozimet e delegacionit të Kuvendit të Kosovës, të përfshira në rezultatet e miratuara.

“Është detyra e kuvendeve të të dy vendeve”, nënvizoi Ruçi, “të lehtësojmë bashkëpunimin e gjithanshëm midis Shqipërisë e Kosovës, në mbështetje të interesave të qytetarëve. Për të dy palët ekziston vullneti i plotë dhe i qartë politik. Këto rezoluta janë një hap pozitiv, por duhen parë me kujdes teknikalitetet e zbatimit të tyre prej qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve”.

Në takim u bisedua edhe për çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh në fushën e energjisë, njehsimit të diplomave, plotësimit të standardeve të integrimit etj. Të dy palët ranë dakord që për rritjen e bashkëpunimit midis të dy vendeve duhet të ndiqen praktikat më të mira të vendeve të BE-së.

Çdo marrëveshje bashkëpunimi duhet të mbështetet nga vullneti politik, forca e ligjit, detyrimet ndërkombëtare dhe të procesit të integrimit evropian dhe interesi qytetar. Kuvendet duhet dhe mund të nxisin këtë bashkëpunim edhe nëpërmjet komisioneve parlamentare.

“Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të ushtrojnë të gjitha kompetencat e kontrollit parlamentar për përshpejtimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme