Shqiptarët përfituesit më të mëdhenj në rajon nga hapja e kufijve, tregjeve dhe integrimi

Prishtinë | 06 Gus 2021 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Arben Çejku, drejtor i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë, ish-ambasador, shprehet se Shqipëria duhet të mbështesë Kosovën, ta inkurajojë dhe ndihmojë me çdo formë që të jenë krah për krah në çdo hap diplomatik në rajon. Qeveria aktuale e Kosovës ka ende shumë punë për të bërë për të siguruar mbrojtjen e tregjeve kosovare nga “agresioni” i produkteve serbe.

Në një bisedë për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, Çejku thekson se Shqipëria duhet të luajë rolin e saj në rajonin e Ballkanit, si vend anëtar në NATO dhe kandidat për në BE dhe ka përgjegjësinë e mbrojtjes së interesave shqiptare kudo në rajon.

  1. Çfarë fiton realisht Shqipëria dhe çfarë humbet Kosova nga Mini-Shengeni Ballkanik?
  • Nisma rajonale “Ballkani i Hapur”, si vijim i konceptit “mini-Shengeni ballkanik”, synon të zhvendosë marrëdhëniet bilaterale në një rrafsh bashkëpunimi multilateral duke synuar arritjen e disa treguesve konkret në dobi të qytetarëve. Rajonit tonë, edhe më parë nuk i kanë munguar nismat apo formatet e tilla të bashkëpunimit, pavarësisht emërtesave që kanë pasur. Programet e mbështetjes së Bashkimit Europian për Ballkanin si IPA, ERASMUS, CEFTA etj apo së fundi Procesi i Berlinit (2014), në thelb synojnë forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit tonë. Mbi të gjitha, vetë mbështetja e Brukselit për Ballkanin Perëndimor, nxit europianizimin e këtyre marrëdhënieve. Mirëpo, janë një seri faktorësh lokal që kanë penguar realizimin e disa marrëveshjeve të nënshkruara më parë. Unë mendoj se kjo nismë, sido që ta quajmë, qoftë “mini-Shengen”, qoftë “Open Balkan”, apo “SEFTA”, siç e ka propozuar Albin Kurti, nuk është ende një garanci ekskluzive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes shteteve të rajonit tonë. Duhet ende shume pune dhe vullnet politik nga qeveritë tona. Unë besoj se është shumë e dobishme të mbështeten nisma dhe procese, që synojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Nga liria e lëvizjes, nga liria e tregjeve dhe investimeve reciproke, ka përfitim për secilin. Ne jemi vende që kemi provuar se çfarë kostoje kishte izolimi dhe luftrat ndër-etnike. Nga hapja e kufijve, tregjeve dhe nga integrimi shqiptarët janë ndër përfituesit më të mëdhenj në rajon. Pozita e tyre gjeostrategjike dhe resurset ekonomike e shoqërore që ato kanë i bëjnë konkurrent të denjë në tregun e hapsirës ballkanike. Lëvizja e lirë dhe e lehtësuar nga aspekti administrativ, i ka ndihmuar shumë qytetarët shqiptarë të Shqipërisë, të cilët lëvizin pa pashaporta në disa vende të rajonit tonë dhe anasjelltas. Kjo duhet të përfshijë patjetër edhe qytetarët e Kosovës, pavarësisht nëse e njeh apo nuk e njeh Serbia Kosovën. Për mendimin tim, pa përfshirjen e plotë të Kosovës në këtë proces, çdo nismë rajonale do të dështojë. Nga ana tjetër, vetë Kosova, siç e kam theksuar, duhet të jetë më proaktive në çdo përpjekje që synon çlirimin e Ballkanit nga e kaluara dhe të mos paragjykojë marrëveshje, ku vetë ajo mund dhe duhet të jetë pjesëmarrëse.

2. Shqipëria merr pjesë në Mini-Shengenin Ballkanik, në një forum kaq të rëndësishëm, pa Kosovën, si e komentoni?

Në marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator 2020, tek aneksi “Normalizimi ekonomik”, në mes të tjerave thuhet se “të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini- Shengenit” të inicuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore…”. Me mospjesëmarrjen e saj, Kosova ka treguar injorim të zbatimit të këtij traktati, vlefshmërinë e të cilit e ka rikonfirmuar presidenca Biden. Unë nuk kam dijeni për natyrën e bisedimeve që janë bërë mes palëve për organizimin e takimit të fundit në Shkup, por theksoj se Kosova duhet të tregojë seriozitet në plotësimin e detyrimeve të saj ndërkombëtare. Qëndrimi i paqartë i qeverisë Kurti në raport me zbatimin e këtij traktati (që u shoqërua me njohjen e Kosovës nga Izraeli) nuk tregon seriozitet dhe lidership. Në vijim do të thoja se Kosova është shtet Sovran dhe i pavarur, prandaj vendimet e saj nuk duhet të diktohen as nga paternalizimi i Tiranës e as nga presionet serbe. Kosova ka vendin e saj në çdo nismë rajonale dhe vetëizolimi apo refuzimi për të ecur përkrah fqinjëve nuk sjell kurrfarë dobie. Natyrisht, Shqipërisë i takon të punojë më shumë me Serbinë, që për disa çështje që përfshijnë nismat rajonale të tipit “Open Balkan”, të kondicionojë pjesëmarrjen e saj me përfshirjen e Kosovës. Por nëse Kosova, për shkak të vendimeve të liderëve të saj zgjedh të refuzojë pjesëmarrjen, atëherë askush nuk mund ta detyrojë të jetë pjesë e tryezës ballkanike. Kosova ka institucionet e saj dhe përfaqësuesit e zgjedhur dhe janë ata që përcaktojnë se çfarë është më mirë për Kosovën dhe çfarë jo. Kjo do të thotë se secili politikan përgjigjet para institucioneve të shtetit të tij. Shqipëria duhet të mbështesë Kosovën, ta inkurajojë dhe ndihmojë me çdo formë që të jenë krah për krah në çdo hap diplomatik në rajon. Personalisht mendoj se qeveria aktuale e Kosovës ka ende shumë punë për të bërë për të siguruar mbrojtjen e tregjeve kosovare nga “agresioni” i produkteve serbe, të cilat thithin miliarda euro nga xhepat e qytetarëve, para se të përdorë retorikë politike dhe antagoniste ndaj nismave që kërkojnë hapje të tregjeve dhe kufijve rajonal. 

3. A duhet Shqipëria të ndërtojë marrëdhënie politike dhe ekonomike me Serbinë, duke lënë jashtë dhe aq më keq, duke antagonizuar Kosovën?

  • Shqipëria duhet të luajë rolin e saj në rajonin e Ballkanit, si vend anëtar në NATO dhe kandidat për në BE. Po ashtu, ajo ka edhe përgjegjësinë e mbrojtjes së interesave shqiptare kudo në rajon, duke respektuar shtetet fqinje dhe duke bashkëpunuar ngushtesisht me to. Serbia, pavarësisht se nuk është një shtet fqinj me Shqipërinë, vitet e fundit ka shtuar përpjekjet për intensifikim të marrëdhënieve shumëplanëshe me Tiranën. Vihet re tendenca e saj që në këtë marrëdhënie të injorohet satë jetë e mundur faktori Kosovë. Mirëpo duhet të jetë Shqipëria ajo që marrëdhëniet e saj me Serbinë t’i konsiderojë të rëndësishme, aq saato nuk cënojnë interesat e Kosovës. Po ashtu, këto marrëdhënie, kurrë nuk duhet të kapërcejnë dhe lënë në hije liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqipëria duhet të ushqejë marrëdhënie të mira me fqinjët, përfshi edhe Serbinë, por gjithnjë duke patur si prioritet interesat e shqiptarëve kudo që jetojnë. Pavarësisht propagandës politike që bëhet kohëve të fundit, unë nuk besoj se Shqipëria po “antagonizon” Kosovën në ndonjë segment të marrëdhënieve të saj rajonale. Përkundrazi, shpreh besimin tim se Shqipëria është aty ku janë interesat e Kosovës dhe, pavarësisht “antagonizmave” politike mes liderëve të caktuar këtej apo andej kufirit, shteti shqiptar në tërësinë e vet është dhe duhet te jetë me interesat kombëtare. Për më tepër që, në shumicën e marrëdhënieve rajonale, Shqipëria ka mirëkuptimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, SHBA-BE, që janë edhe partner të Kosovës. 

4. Replikat Rama – Kurti, dy kryeministra shqiptarë të shkëmbejnë kritika publikisht, në vend që të merren vesh privatisht dhe të ruajnë imazhin e unitetit në publik; a i dëmton shtetet tona në sytë e perëndimit dhe të fqinjëve?

  • Jo vetëm unë, por çdo shqiptar shpreh dëshpërim sa here kur shikon se mes udhëheqësve tanë në Kosovë e Shqipëri ka replika të pahijshme dhe më keq akoma, qëndrime inatçore që nuk reflektojnë aspak marrëdhënien mes nesh. Zoti Rama dhe Kurti kanë patur marrëdhënie shumë të mira vite më parë, por kohët e fundit, mes tyre ka mungesë urash të komunikimit e bashkëpunimit. Duhet që faktorë të tjerë shqiptar, të ndikojnë në afrimin mes tyre dhe jo në thellimin e përçarjes, duke krijuar kësisoj dy kampe; një pro-Kurti e një pro-Rama! Ne jemi e duhet të mbetemi deri në fund promotorrë të interesit tonë kombëtar, dhe jo ushtarë të njërit apo tjetrit politikan. Politikanët shkojnë e vijnë, por kombi ynë dhe sfidat e tij mbeten ndër shekuj! Secili nga ne duhet të shohë përtej hundës së tij, përtej interesit të tij personal e partiak dhe të shtrijë dorën pajtimit e bashkëpunimit. Inatet dhe egot personale të liderëve të caktuar nuk duhen ushqyer me retorika boshe dhe lajka. Kryeministri Rama, gjithësesi, duhet të ekspolorojë më shumë mundësi për të bashkëpunuar me Kurtin, sepse kështu ai bashkëpunon me Kryeministrin e Kosovës. Inatet dhe përshtypjet personale t’i ruaj për Albinin e jo për qeverinë Kurti. Nga ana tjetër, zoti Kurti duhet të kuptojë seriozisht se shteti i Kosovës ka rrënjë të thella dhe në ngritjen e tij kanë dhënë kontribut shumë njerëz e shumë breza dhe nuk do të sjellë asnjë dobi për të dhe të ardhmen e tij politike, tendenca për të anashkaluar apo fshirë realitete që janë gurthemel të Kosovës! Kjo vlen edhe për marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo vlen edhe për marrëdhëniet me Tiranën zyrtare. Personalizimi i marrëdhënieve institucionale, nuk është në dobi të fuqizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Shqipërisë e anasjelltas.
  • 5. Mini-Shengeni a është produkt i autoritarizmit dhe etjes për protagonizëm i Ramës, Vuçiq e Zaev?
  • Unë nuk mendoj se nisma e mini-Shengenit apo “Open Ballkan” është rrjedhojë dhe produkt i autoritarizmit. Autoritarizmin në qeverisjen e vendeve tona e ndjejmë në raportet që kanë këto qeveri me qytetarët e tyre. Protagonizmi i kryeministrave është i pashmangshëm, kurse autoritarizmi duhet luftuar kudo që shfaqet. Sidomos veprimet arbitrare, anti-ligjore dhe keq-qeverisja janë pjesë e autoritarizmit në qeverisje, pavarësisht retorikës që secili person përdor për t’i mbuluar ato. Ne kemi nevojë për qeverisje të mirë, për respektim të ligjit, për drejtësi dhe shance të barabarta, për transparencë dhe gjithëpërfshirje në vendimarrje.
  • 6.Mini-Shengeni Ballkanik a është një përpjekje e Ballkanit për të “shantazhuar” Perëndimin?
  • Pavarësisht retorikës që liderët e Ballkanit përdorin herë pas here, në formën e “presionit” apo “shantazhit” ndaj Brukselit, unë e di që ata e bëjnë këtë për të justifikuar dështimet e tyre në zbatimin e reformave të kërkuara. Asnjë lloj retorike nuk mund ta mbulojë diellin e dështimeve tona, prandaj duhet që të punojmë më shumë në shtëpinë tonë pa akuzuar fqinjin. Ne kemi nevojë për t’u integruar në BE dhe jo BE për t’u ballkanizuar.
  • 7. Shqipëria e ndarë nga Kosova a humbet peshë në politikën rajonale?
  • Pavarësisht disa problemeve që janë aktualisht në marrëdhëniet ndër-shtetërore, Kosova dhe Shqipëria nuk janë të ndara nga mbrojtja dhe promovimi i interesit kombëtar. Shqipëria e Kosova kanë qenë, janë dhe do të jenë së bashku krah për krah në forcimin e faktorit shqiptar në rajon. Në marrëdhëniet mes vëllezërve mund të ndodhë që të ketë keqkuptime, por vëllezërit mbeten gjithmonë vëllezër.

Të ngjashme