Shterpësia e kryetarëve të veriut për gjysmë mandati qeverisjeje

Prishtinë | 16 Pri 2019 | 07:45 | Nga Ekonomia Online

Kryetarët e komunave veriore i lënë mandatet e tyre në gjysmë, pa i përmbushur as obligimet minimale të cilat kërkohen me Ligjin për Vetëqeverisje lokale. Mungesa e raportimeve dhe llogaridhënies para Kuvendit Komunal dhe qytetarëve, mosadresimi i rekomandimeve të institucioneve qendrore, dobësitë në financat lokale- janë disa prej mangësive të evidentuara për Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zubin-Potokun dhe Zveçanin, në raportin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ligji për vetëqeverisje lokale obligon kryetarët e komunave që të raportojnë në baza të rregullta ose atëherë kur kërkohet nga Kuvendi i Komunës. Sipas nenit 58 të këtij ligji, kryetari i Komunës është i obliguar të raportojë për situatën ekonomiko-financiare të Komunës dhe për zbatimin e planeve investuese të Komunës, së paku një herë në gjashtë muaj apo kurdoherë që kërkohet nga Kuvendi, shkruan sot Koha Ditore.

Mbështetur në raportin e MAPL-së për periudhën janar-dhjetor 2018, që u publikua në mars, gjashtë kryetarë kanë raportuar vetëm një herë duke mos arritur kriterin minimal. Në mesin e tyre janë: kryetari i Leposaviqit, Zubin-Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore. Komunat e tjera që nuk kanë përmbushur këtë kriter janë: Gjakova dhe Graçanica, derisa kryetari i Komunës së Mamushës nuk ka raportuar asnjëherë në këtë periudhë.

Zero takime publike me qytetarë janë regjistruar në komunat e populluara me shumicë serbe, mekanizëm dhe parim ky bazë i pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në bërjen e politikave. Komunat janë të obliguara të vënë në funksion standarde të ndryshme të konsultimit me qytetarë përmes takimeve të drejtpërdrejta, informimit publik, përfshirjes aktive të qytetarëve, grupeve të interesit, tryezave të përbashkëta, përdorimit të sistemeve elektronike të informacionit, si dhe çfarëdo metode tjetër me të cilën transparenca do të ndikojë në avancimin e vetëqeverisjes lokale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme