Shteti i çoi në Durrës FSK-në dhe Policinë, por asnjëra s’kanë sigurime shëndetësore

Prishtinë | 03 Dhj 2019 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Rreth 40 ushtarë, oficerë e nënoficerë në Task- Forcën e kërkim- shpëtimit të FSK’së dhe 110 policë të tjerë të Kosovës, të martën, 26 nëntor, morën rrugë drejt Shqipërisë. Atje shpëtuan njerëz që kishin mbetur në rrënoja dhe u dolën në ndihmë edhe atyre që u prekën nga tërmeti që ua mori jetën 52 personave. Nën dridhjet e vazhdueshme të tokës dhe duke e rrezikuar jetën, ata vazhduan misionin e tyre për disa ditë. Shteti kosovar që i çoi atje, ushtrisë, policisë, por as qytetarëve të tjerë nuk u ka siguruar sigurimet shëndetësore

Mjaftoi një urdhër i komandantit dhe qindra ushtarë e pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe morën rrugë mëngjesin e së martës së 26 dhjetorit drejt Shqipërisë.

Nën dridhjet e vazhdueshme të tokës, policët e ushtarët e Kosovës do t’i vazhdonin kërkimet kryesisht në Durrës dhe Thumanë, për të shpëtuar jetën e dhjetëra personave që mbetën nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti 6.3 shkallësh që e kishte goditur Shqipërinë.

Policët e ushtarët tanë në këtë mënyrë rrezikuan jetën e tyre. Fatmirësisht asnjëri nga ta nuk u lëndua.

Por,shteti kosovar nuk u kujdes aq sa duhet për forcat e veta. As policëve e as ushtarëve ende nuk u ka ofruar sigurim shëndetësor e as jetësor. Kjo gjë bëhet nga vet institucionet të cilat aranzhojnë kompani private.

FSK që disa vite aranzhon kompani private për shërbimet e sigurimit individuale të pjesëtarëve të saj. Në një kontratë të publikuar nga ky institucion ishin dhënë rreth 10 mijë euro për sigurim 36 mujor për disa pjesëtarë të deminimit të ushtrisë. Tenderi i ishte dhënë kompanisë së sigurimeve ‘Siguria”.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zyrtarë të FSK’së kanë deklaruar se ushtarët e saj kanë pasur sigurim shëndetësor për të cilin e patën angazhuar një kompani private. Sipas tyre, për fat të mirë, gjatë operacionit, nuk ka pasur asnjë ushtar të lënduar.

“Nuk ka asnjë pjesëtarë të lënduar të FSK-së nga operacionet në terren. Të gjithë pjesëtarët e FSK-së që dalin me mision jashtë vendit duhet të kenë sigurim shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të FSK’së.

E kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental për Policinë e Kosovës është e kamotshme. Në Sindikatën e Policisë së Kosovës thonë se kanë bërë me dhjetëra kërkesa në institucionet e Kosovës, që policëve t’u ofrohet sigurimi shëndetësorë.

Por implementimi i Sigurimeve Shëndetësore, vështirë se do të jetë i realizueshëm edhe për një vit në Kosovë.

Fatmir Plakiqi, drejtor i Fondit për Sigurime Shëndetësore, duke folur për Gazetën Express, ka deklaruar se drafti final i planit për sigurime është dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Por punën më të madhe tash e ka Kuvendi e Qeveria e Kosovës.

“Drafti final është dorëzuar në MSH nga grupi punues, ende nuk ka dalë konsultim publik, mandej inkorporohen komentet për tu dorëzuar pastaj në Qeveri dhe Kuvend”, ka thënë Plakiqi për Express.

Institucionet që merren me shëndetësinë në vend si duket nuk kanë punuar aq sa duhet për këtë çështje. Drafti final i fondit të sigurimeve shëndetësore është dashur të dorëzohet me 15 gusht 2019

Në një deklaratë për Express, Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë deklaroi se situata politike në vend mund ta shtyjë edhe më shumë këtë çështje.

““Në shëndetësinë e Kosovës nuk kemi financim të qëndrueshëm. T’ju them të drejtën në këtë fazë ne ende nuk kemi informacione se ku ka arritur procesi. E di një draft që kanë pas me e çu. Por tani qeveria ra, procesi më vështirë që të arrihet”, thotë Syla.

Ai deklaron se ka pas shpresa që kjo punë të jetësohet edhe gjatë vitit 2020.

“Mungesa e Ligjit për Sigurime Shëndetësore i ka shkaktuar dëme të mëdha, sistemit shëndetësor në vend”, thotë ai.

E janë bërë më shumë se 12 vjet që kur Kosova ka miratuar Ligjin për sigurime shëndetësore, por që asnjëherë ky ligj nuk ka hyrë në fuqi duke bërë kështu që kosovarët që nga pas lufta mos të kenë mundësi që ti marrin madje as shërbimet bazike shëndetësore për ta.

Kjo situatë e tillë pritet që të vazhdojë të paktën edhe për një vit tjetër.

Ndërkohë sipas Federatës Sindikale të Shëndetësisë, mungesa e këtij ligji po i shkakton dëme të mëdha shtetit. Rreth 200 milionë euro dalin jashtë Kosovës për shërbime shëndetësore nga personat që kërkojnë shërim jashtë vendit.

Të ngjashme