Shteti i Iowas konfirmon mbështetjen për Kosovën

Prishtinë | 27 Qer 2017 | 10:34 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një delegacion nga shteti Iowas i ShBA-së, po qëndron për vizitë në Kosovë. Ky delegacion është pritur nga disa ministra në largim të Qeverisë së Kosovës, ku u biseduan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka thënë se ky shtet ka ndihmuar dhe po vazhdon ndihmën për Kosovën dhe për këtë tha që i janë mirënjohës, raporton Ekonomia Online.

“Jemi mirënjohës për atë që Amerika i ka dhënë Kosovës, duke filluar që nga lufta e deri më tani”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për edukimin dhe shkollimin që ShBA-ja po i ofron Kosovës.

Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë ka cilësuar si ngjarje të rëndësishme takimin me përfaqësues të Iowas.

Ai ka thënë se ky shtet e ka ndihmuar Kosovën në fushën e bujqësisë, duke ndikuar kështu në rritjen e ekonomisë së vendit.

“Ne kemi pasur një bashkëpunim konkret me Iowan, mund të them se Kosova ka çka të mësojë nga ju sidomos në fushën e bujqësisë. Jo vetëm në ferma por edhe në edukim. Në Kosovë funksionojmë 130 mijë ferma që e kultivojnë tokën si në bujqësi ashtu edhe blegtori. Produktet kryesore janë gruri misri, specat domatet kumbullat dredhëzat, mjedrat. Bujqësia ka pasur rëndësi e vazhdon edhe tash 12% e bruto produktit të GDP vjen nga bujqësia”, ka thënë Krasniqi.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka thënë se ky shtet i ka dhënë shumë FSK-së dhe se janë në koordinim të plotë edhe për fazën e transformimit në ushtri.

“Vetëm në vitin e fundit kemi pasur rreth 550 ushtrime të përbashkëta me gardën e Iowas. Jemi në koordinim të plotë që edhe në fazën e transformimit dhe Iowa ka pasur rol kyç në planet e të ardhmes që i kemi si nevojë bashkë me shtetin tonë’, ka thënë ai.

Arian Zeka, nga Oda Amerikane në Kosovë ka thënë shumë kompani amerikane kanë mundësi ta shfrytëzojnë Kosovën për eksportim në BE.

Përfaqësuesit nga Iowa kanë thënë se kjo ngjarje u ndihmon edhe qytetarëve. Marrëdhëniet e Kosovës dhe Iowas sipas tyre do vazhdojnë duke filluar nga edukimi e deri tek ushtria e cila është shumë e rëndësishme.

Të ngjashme