Shtohen në veri pankartat kundër reciprocitetit me dokumente

Prishtinë | 31 Kor 2022 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Një ditë para aplikimit të masave të reciprocitetit për letërnjoftime dhe pasaporta me Serbinë, në komunat me shumicë serbe janë shtuar pankartat që bëjnë thirrje për mos dëgjueshmëri ndaj institucioneve të Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se vendosja e pankartave me mbishkrime “Nuk ka dorëzim, letërnjoftimi serb mbetet” është hasur në disa rrugë në fshatin Gazivodë të Zobin Potokut.

“Njësiti patrullues ka raportuar se kishte vërejtur disa pankarta të vendosura në rrugë me mbishkrimin ‘Nema predaje srpska licna karta ostaje’ (Nuk ka dorëzim, letërnjoftimi serb mbetet)”, njoftoi policia.

Po ashtu, në të njëjtin fshat policia ka ndaluar një veturë, ku kanë qenë dy persona e në xhaketën e njëri prej tyre ka qenë harta e Kosovës dhe Serbisë me mbishkrimin “Nuk dorëzohemi”.

“Raportohet se gjatë një pike kontrolli është ndaluar një veturë në të cilën ishin dy meshkuj, ku njëri nga ta ka pas të veshur një xhaketë me hartë të Kosovës dhe Serbisë me mbishkrimin ‘Nema predaje’. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.

Të ngjashme