Shtyhet interpelanca e Muratit – Hoxhaj: Nga janari i vitit tjetër të hyjë në fuqi Ligji i pagave

Prishtinë | 26 Sht 2022 | 12:18 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesia e Kuvendit ka caktuar për të enjten seancë të re plenare. Ndërsa interpelanca e ministrit Hekuran Murati është shtyrë për një mbledhje tjetër, raporton Ekonomia Online.

Pas përfundimit, pa dhënë shumë detaje, ka folur Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Ai ka thënë se seanca e re do t’i ketë disa pika të reja të rendit të ditës, ndërsa do të diskutohet edhe për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

Hoxhaj ka folur edhe për grevën e përgjithshme, me ç’rast ka kërkuar nga Qeveria të reflektojë.

Sipas tij, nga janari i vitit të ardhshëm të hyjë në fuqi Ligji i pagave që do ta zgjidhte këtë problem.

“Ne kem pas edhe një seancë dhe debat parlamentar për këtë çështje dhe që qëndrimi jonë është që të gjendet një zgjidhje e përkohshme, të ketë dhe që nga janari të jetë ligji i pagave i implementuar. E jona është që nxënësit të kthehen në shkollë dhe të ndërpritet kjo grevë”, tha Hoxhaj.

Seanca e të enjtes do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetjet parlamentare.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, Projektligjit për Anti dopingun dhe atij për edukimin në fëmijërinë e hershme.

Në këtë seancë pritet edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Pas përfundimit të seancës së re, Kuvendi do t’u rikthehet shqyrtimit të pikave nga seancat e papërfunduara.

Të ngjashme