Shtyhet mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri

Prishtinë | 18 Pri 2017 | 20:09 | Nga

Mbledhja e dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë, nuk do të mbahet më 24 prill, siç është bërë e ditur më herët.

Arsyet zyrtare të këtij vendimi, që më tepër se Tirana, është nxitur nga Prishtina, nuk janë bërë të ditura.

Por, lajmin e mosmbajtjes së takimit të madh të Vlorës e kanë konfirmuar disa burime për klankosova.tv.

“Zyra e kryeministrit ka propozuar një datë tjetër, më të përshtatshme se 24 prilli”, ka thënë një burim nga Qeveria e Kosovës, që është deklaruar në kushte anonimiteti.

“Arsyetimi ka qenë se bëhet fjalë për agjendë të ngjeshur të kryeministrit”, ka thënë ky burim.

Portali klankosova.tv ka tentuar gjithë ditën të konfirmojë lajmin nga zyra e Isa Mustafës, po asnjëri nga këshilltarët e tij, as zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, e as shefja e kabinetit, Vlora Dumoshi, nuk janë deklaruar për këtë çështje.

Mosmbajtja e takimit të dy qeverive më 24 prill është konfirmuar edhe nga Tirana.

“Jemi në konsultime për ta gjetur një datë tjetër për mbledhjen e dy qeverive”, ka thënë një burim nga qeveria shqiptare.

“Besoj që ditëve në vazhdim do të jemi në gjendje ta tregojmë datën kur potencialisht mund të mbahet takimi i ri”.

Një ditë më parë, Klan Kosova ka raportuar se më 24 prill do të ketë një ngjarje tjetër, shumë më e rëndësishme se ajo e mbledhjes së dy qeverivë, që zhvillohet në Tiranë.

Këtë ditë, sipas burimeve të televizionit, Kuvendi i Republikës do ta ketë në rend dite miratimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.

Të nesërmen, më 25 prill, pritet prishja e koalicionit qeverisës PDK-LDK, për t’i lënë vend zgjedhjeve të parakohshme, që me gjasë do të mbahen me 28 maj ose 4 qershor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme