Shukri Buja hyn nën shënjestrën e Speciales

Prishtinë | 01 Kor 2019 | 08:17 | Nga Ekonomia Online

Ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja, më 17 korrik të këtij viti do të dalë para Prokurorisë së Specializuar në cilësinë e të dyshuarit. Këtë e ka konfirmuar vetë Buja për “Zërin”, ku ka shtuar se nuk pret drejtësi nga kjo gjykatë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, i cili ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është ftuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me seli në Hagë. Ftesën e ka konfirmuar vetë Buja, i cili për “Zërin” ka deklaruar se ndonëse nuk beson se kjo gjykatë mund të sjellë drejtësi për UÇK-në dhe për luftën e saj të drejtë, ai më 17 korrik do të paraqitet para Prokurorisë Speciale.

“Jam i ftuar nga Prokuroria Speciale, paraqitjen do ta kem më 17 korrik në Hagë. Kam pranuar ftesën, e kam konfirmuar pjesëmarrjen në Prokurori. Do ta respektoj këtë dhe do të jem prezent në Gjykatë. Jam ftuar në cilësinë e të dyshuarit”, ka thënë Buja.

Mirëpo pavarësisht se ka pranuar ftesën, Buja e vlerëson Gjykatën Speciale si gjykatë politike dhe të njëanshme

. “Se sa do të ketë drejtësi mbetet të shihet, mirëpo Gjykata Speciale shihet që është gjykatë politike, e njëanshme dhe do të jetë e dëmshme për Kosovën”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Përderisa nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së kanë paralajmëruar ardhjen e ftesave të reja në korrik të këtij viti, përfaqësues të partive politike dhe analistë vlerësojnë se ndër personat që do të ftohen nga kjo gjykatë mund të jenë edhe liderët aktualë të vendit.

Të ngjashme