Shumica e komunave sërish në zgjedhje

Prishtinë | 21 Tet 2017 | 09:28 | Nga

Shumica e komunave më të mëdha të Kosovës pritet t’i nënshtrohen garës së balotazhit, të cilat do të mbahen më 19 nëntor të këtij viti. Kështu thonë njohësit e çështjeve politike të cilët konsiderojnë se të gjitha komunat do të shkojnë në balotazh me përjashtim të bastioneve të partive politike, për të cilat besojnë se edhe këtë herë nuk do t’i “tradhtojnë” partitë përkatëse, shkruan sot, gazeta Zeri.

Komunat që u cilësuan se mund të fitojnë pa balotazh janë: Skenderaj, Hani i Elezit, Deçani e Istogu. Ndërkaq numri i madh i partive politike që garojnë me kandidatët e tyre, sipas analistëve, jep shenjë që partitë s’do të arrijnë 50-përqindëshin në qendrat e mëdha të Kosovës.

Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të vitit 2013 janë mbajtur rundet e dyta në 25 komuna nga 38 sa janë gjithsej.

Mazllum Baraliu, ish-shef i KQZ-së dhe njohës i rrethanave politike, ka potencuar për gazetën “Zëri” se pritet që numri më i madh i komunave do të shkojnë në balotazh.

Sipas tij, kjo do të ndodhë për shkak të numrit të madh të kandidatëve për kryetarë të rinj.

“Meqë ka shumë kandidatë në komunat kryesore dhe në komunat tjera më të vogla kësaj radhe edhe nga partitë kushtimisht më të vogla, por edhe nga partitë e mëdha ka një konkurrencë mjaft të lakmueshme dhe pritshmëritë janë që pjesa më e madhe e komunave do të shkojë në balotazh dhe nuk do të jenë shumë komuna që me herën e parë do të fitojnë. Pastaj në balotazh do të ketë edhe koalicione dhe lojëra politike parimore e joparimore”, ka thënë Baraliu.

Ai tha se komunat që mund të përfundojnë pa balotazh janë kryesisht bastionet e partive. “Janë bastionet e partive politike ku mund të ketë fitore me të parën pa balotazh me shumicë mbi 50%, por për të tjerat pritet të ketë balotazh”, ka përfunduar ai

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme