Si i bëri Kurti miq, “sunduesit” e “mbretërit” e Kosovës?

Prishtinë | 13 Sht 2022 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Pieter Faith e pranoi publikisht se u befasua kur u ftua në Prishtinë për ta shënuar përvjetorin e 10-të të përfundimit të mandatit të tij si mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës.

Kjo, për faktin se thirrjen e mori nga kryeministri aktual, Albin Kurti, ish-kundërshtari më i madh kosovar i procesit të monitoruar ndërkombëtarisht.

Në fakt, nikoqiri që atëbotë ishte kryeopozitar me Lëvizjen Vetëvendosje, i kishte dhënë holandezit epitetin e sundimtarit të mbretit të Kosovës.

Por, tani shefi qeveritar ka vetëm fjalë të mira për diplomatin dhe për statusin e pavarësisë së vendit, të cilin e konsideronte vetëm si mashtrim.

Kundërshtimi ndaj UNMIK-ut

E ky ndryshim qëndrimi nuk është i pari për Kurtin, që kur në vitin 2019 për herë të parë dhe në 2021 për herë të dytë e mori detyrën e kryeministrit.

Në këtë cilësi e kishte mirëpritur edhe shefin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, edhe pse më herët UNMIK-un e kishte akuzuar për sundim të Kosovës dhe për korrupsion.

“Përfaqësuesi Special ka ripërsëritur se UNMIK vazhdon të ta mbështesë forcimin e rendit e ligjit, institucioneve demokratike  dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të angazhimit me mekanizmat e vendosjes në dialog”, thuhet në një njoftim të Qeverisë, pas takimit të zhvilluar mes Kurtit e Zaninit, në tetorin e vitit të kaluar.

Në qershor të vitit 2005, Kurti me disa aktivistë të tjerë u arrestuan nga Shërbimi Policor i Kosovës me ndihmën e Policisë së UNMIK-ut pasi kishin shkruar parullën “Jo negociata, Vetëvendosje” në muret e hapësirave të UNMIK-ut.

Pasi kishte formuar Lëvizjen Vetëvendosje, atëkohë ai organizoi referendum për ta definuar statusin e Kosovës me arsyetimin se “vetëm me referendum si shfrytëzim i së drejtës ndërkombëtare për vetëvendosje, mund të realizojmë zgjidhje demokratike për Kosovën në vend të negociatave që komprometojnë lirinë”.

Një vit para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kurti organizoi një protestë për ta kundërshtuar pakon e Marti Ahtisarit – një dokument i cili në vija të trasha i vuri konturat e shtetit të Kosovës. Përkundër faktit që protesta ishte llogaritur të jetë paqësore, dy protestues të paarmatosur u vranë nga policia rumune e UNMIK-ut dhe 80 të tjerë mbetën të lënduar nga plumbat e gomës.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, diplomati holandez Peter Faith u caktua si përgjegjës për ta mbikëqyrur mbarëvajtjen e planit të Marti Ahtisarit. Në vitin 2012 mbikëqyrja ndërkombëtare përfundoi dhe Kosova u bë përgjegjëse për qeverisjen e saj. Mirëpo rrugëtimi opozitar i Kurtit nuk përfundoi me mëvetësinë e Kosovës.

Kundërshtimi ndaj EULEX-it

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë u bë pasues i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Kurti nuk e mirëpriti këtë mision që nga fillimi. Sipas tij, EULEX ishte vetëm një zëvendësim i UNMIK-ut dhe asgjë më shumë.

Disa muaj pas Pavarësisë, Kurti me aktivistë të LVV-së kishin shpërndarë pllakate nga ceremonia e ndërrimit të Komandës së KFOR-it në vitin 2005, ku kreu i atëhershëm i misionit të EULEX, Yves de Kermabon shihej së bashku me Dragan Paskashin – komandant i ish-unionit Serbi-Mali i Zi.

Kurti aludonte se fotografia në fjalë tregon faktin se Paskashin ishte ftuar nga Kermabon, të cilin ai e cilësonte si person të papërshtatshëm për Kosovë.

Vetëvendosje në gusht të vitit 2009 organizoi një “aksion simbolik” duke rrokullisur 28 vetura të EULEX-it, duke ua thyer xhamat dhe shfryrë gomat – gjë që rezultoi me arrestimin e disa aktivistëve të kësaj lëvizje.

Kalimi nga opozita në pozitë

Si duket ai nuk po ua besonte punën [që po kryenin apo tentonin ta kryenin] pushtetarëve që ishin përpara tij në krye të Qeverisë së Kosovës. Pasi garoi disa herë për t’u bërë i pari e ekzekutivit, më 14 shkurt të vitit 2021, partia e tij mori mbi 51 për qind të votave të elektoratit dhe kështu ai u bë kryeministër i Kosovës për të dytën herë.

Ai tani është i gatshëm që të ulet në të njëjtën tavolinë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ta vazhdojë dialogun e shumëkërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, ani pse ky i fundit ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera nga shteti serb në Kosovë.

Në mars të vitit 2020, Albin Kurti është takuar edhe me shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, nga ku u tha se është diskutuar për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës është e vendosur të ndërtojë Shtetin e së Drejtës në vendin tonë. Sundimi i Ligjit nuk ka alternativë. Në takim u diskutua për mënyrat e mundshme të përkrahjes për Qeverinë në fushat ku përvoja dhe aftësitë e EULEX-it përbëjnë një ndihmë të konsiderueshme”, thuhet në komunikatë.

Si një politikan në moshën 47 vjeçare, Kurtin e presin takime të shumta dhe të vështira gjatë rrugëtimit të tij politik. I mbetet atij për të shpjeguar nëse i ndryshoi pikëpamjet ndaj faktorëve ndërkombëtarë apo nëse këtë transformim po e bën për të mirën e vendit të tij. (Klan Kosova)

Të ngjashme