Si iu zbulua Gërvallës takimi me Al-Malikin, ditën që Izraeli e çoi në Kosovë ambasadoren Ziv

Prishtinë | 06 Pri 2022 | 12:42 | Nga Ekonomia Online

Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz dje ka pritur në Prishtinë ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv. Diplomatja izraelite është ambasadore jo-rezidente dhe punën e saj e bën nga zyra e saj në Jerusalem derisa të merr epilog çështja e ambasadës së Izraelit në Kosovë.

Megjithatë në të njëjtën ditë që Ziv ka qëndruar në Kosovë, ministres kosovare Donika Gërvalla iu bë publik një takim me shefin e diplomacisë palestineze, Riyad Al-Maliki, të cilin kryediplomatja kosovare e kishte mbajtur sekret dhe s’kishte njoftuar askund.

Gërvalla dhe Al-Maliki janë takuar në mesin e muajit mars të këtij viti  në Antalia të Turqisë në kuadër të Forumit Diplomatik atje. Ka qenë ministria e jashtme e Palestinës që ka lëshuar njoftim për takimin, derisa kanë treguar se kërkesa e Al-Malikit në takim ka qenë që Kosova ta zhvendos Ambasadën në Izrael nga Jerusalemi në Tel Aviv nëse dëshiron që të ketë raporte me Palestinën.

Çështja e lokacionit të Ambasadës së Kosovës dhe pajtueshmëria e Kosovës për ta vendosur atë në Jerusalem ka qenë një prej pikave kryesore që ka determinuar lëvizjen e Izraelit drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Nga MPJ e Kosovës ende s’ka pasur kurrfarë reagimi dhe asnjë sqarim se pse një takim i tillë është mbajtur sekret edhe pëkundër pyetjeve të dërguara në adresën zyrtare të ministrisë.

Për një takim të tillë të Gërvallës me Al-Malikin dje ka reaguar edhe ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka thënë se mbajtja sekret e një takimi të tillë e dëmton raportin e Kosovës me shtetin e Izraelit.

“Mostransparenca e Ministres rreth takimit të saj me ministrin palestinez e dëmton Kosovën, dëmton marrëdhënien e re me Izraelin ende pa u konsoliduar mirë, dëmton interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja nga shtetet e Lindjes së Mesme, dhe ndihmon pozicionin e Serbisë per të forcuar ‘koalicionin ndërkombëtar’ kundër subjektivitetit të shtetit tonë”, kishte shkruar dje Haradinaj-Stublla.

Derisa nga Partia Demokratike e Kosovës i kanërkuar Gërvallës që të tregojë se cila ka qenë përgjigja ndaj kërkesës së Palestinës për çështjen e zhvendosjes së Ambasadës.

“Në raportimin e fundit të Ministres së Punëve të Jashtme para Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme dëgjuam deklaratën e të bërit diplomaci të heshtur. Në këtë kuadër, me siguri llogaritet edhe takimi i saj me homologun e saj palestinez z. Al-Maliki. Nëse e lexojmë postimin e ministrit palestinez e kuptojmë deri dikund heshtjen e Donikës, e megjithatë duhet t‘i shtrojmë një pyetje ministres tonë: Cila ishte përgjigjja e saj në kërkesën e Palestinës për heqjen e Ambasadës së RKS-së nga Jerusalemi?”, ka shkruar sot deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Njohja e Kosovës nga Izraeli konsiderohet si një prej më të rëndësishmeve në vitet e fundit dhe është dashur angazhimi direkt i Shtëpisë së Bardhë që ajo të ndodh.

Të ngjashme