Si mund të ndikojë takimi i Berlinit në dialog?

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, i cili u thirri nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, mund të jetë një përpjekje për të “rivendosur” dialogun Beograd-Prishtinë i cili me muaj gjendet në një qorrsokak.

Bodo Weber nga Këshilli i Berlinit për Politikat e Demokratizimit tha për Tanjug se informacionet për takimin e 29 prillit në kryeqytetin gjerman janë ‘të pakta” por se dihet një nga temat kryesore do të jetë dialogu Kosovë-Serbi, transmeton Klan Kosova.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar dje se kanë pranuar ftesa nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet në fund të këtij muaji në Berlin.

Shembulli i bashkëveprimit mes qeverive të Gjermanisë dhe Francës synon të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, posaçërisht sa i përket temave të mëdha politike, siç është dialogu Kosovë – Serbi.
Pas zgjidhjes së suksesshme të çështjes së emrit mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, fokusi i vendimmarrësve evropiane është zhvendosur në përgatitjet për etapën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku bën pjesë edhe ky takim të hënën në Berlin, transmeton Klan Kosova.

Të ngjashme