Si po e justifikon Putini luftën në Ukrainë duke e përdorur Kosovën

Prishtinë | 05 Mar 2022 | 11:08 | Nga Ekonomia Online

Shumë përpara se tanket dhe trupat ruse të futeshin në Ukrainë, Vladimir Putini po përdorte shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 90’ për të ofruar gjoja justifikime për pushtimin e një vendi sovran evropian, shkruan AP.

Presidenti rus ka qenë veçanërisht i fokusuar në bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999 dhe pranimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Perëndimi më 2008. Ai pretendon se të dyja krijuan një precedent të paligjshëm që shkatërroi ligjin dhe rendin ndërkombëtar, siç duket duke i dhënë atij tani një justifikim që ta pushtojë Ukrainën.

Argumentet e Putinit, të përsëritura disa herë që kur Rusia aneksoi Krimenë më 2014, duket se ndjekin këtë linjë: Nëse republikat e ndryshme të ish-Jugosllavisë dhe Kosova u bënë të pavarura me mbështetjen dhe luftërat perëndimore, pse nuk mundet gadishulli strategjik i Ukrainës në Detin e Zi dhe zonat e kontrolluara nga rebelët – shumica zona të banuara me rusë në lindje të vendit?

Me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova e dominuar me popullsinë etnike shqiptare u shkëput me kundërshtimet e forta të Serbisë. Rusia, një aleat historik i serbëve, kundërshtoi atëherë duke thënë se kjo krijonte një precedent që mund të nxiste një sërë pretendimesh për shtetësi diku tjetër në botë.

Në korrik të vitit 2010, gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara i dha vulën shtetësisë së Kosovës, duke vendosur se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme.

Ka shumë dallime në mes të sulmit rus në Ukrainë, i parë nga Perëndimi si një nga momentet më të errëta për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe luftërave në Ballkan që lanë më shumë se 120,000 njerëz të vdekur dhe miliona të pastrehë. Ka po ashtu edhe ngjashmëri.

Cilat janë dallimet kryesore?

NATO nuk e okupoi Kosovën pasi dëboi forcat serbe jashtë saj, por dërgoi paqeruajtësit. Trupat ruse, ndërkohë, morën kontrollin mbi Krimenë përpara se të mbahej referendumi i saj për t’u bashkuar me Rusinë.

NATO intervenoi në Kosovë vetëm pas dëshmive të rënda të abuzimit serb kundër shqiptarëve etnikë, duke përfshirë vrasjet masive dhe dëbimet. Forcat ruse intervenuan në Ukrainë pa raportime të abuzimeve apo dhunës kundër rusëve etnikë.

Shqiptarët e Kosovës shpallën pavarësinë, por nuk u bashkuan me vëllezërit etnikë në Shqipëri në një shtet të vetëm. Krimea, e cila ka popullsinë shumicë ruse, nënshkroi një deklaratë për t’iu bashkuar Rusisë dy ditë pas referendumit, i cili u konsiderua i gabuar dhe jodemokratik nga Perëndimi.

Cilat janë ngjashmëritë kryesore?

Të dyja ndërhyrjet filluan me pretendime të rreme se pakicat etnike po persekutohen nga vendet fqinje. Ushtria e drejtuar nga serbët lëshoi një breshëri të rëndë artilerie kundër qyteteve dhe fshatrave në Kroaci në vitin 1991, disi e ngjashme me sulmet fillestare nga rusët kundër Ukrainës.

Çfarë tha Putini?

“(Kancelari gjerman Olaf Scholz) sapo tha se njerëzit e gjeneratës së tij – dhe unë i përkas kësaj gjenerate – e gjej të vështirë ta imagjinojë një luftë në Evropë”, tha Putini gjatë bisedës me Scholzin në Moskë.

“Por ne të gjithë ishim dëshmitarë të luftës në Evropë që NATO nisi ndaj Jugosllavisë”, tha ai.

Putini tha se me ndërhyrjen në Kosovë, Perëndimi krijoi një precedent me pasoja afatgjata.

Cili është roli i Perëndimit në këtë?

Në një konferencë për shtyp me Putinin, Scholz iu kundërpërgjigj argumenteve të Putinit për veprimet e NATO-s në Kosovë, duke thënë se kjo ishte bërë për ta ndaluar gjenocidin, referuar persekutimit të shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.

Liderët perëndimorë vazhdimisht i kanë hedhur poshtë argumentet e Putinit, duke thënë se Kosova ishte rast unik për shkak të numrit të madh të viktimave gjatë luftërave ballkanike në mes të shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel kishte insistuar se analogjitë e Putinit midis veprimeve të Perëndimit në Kosovë dhe ndërhyrja e Rusisë në Krime, janë “të turpshme”.

Cilat mund të jenë pasojat?

Ekziston frika se lidershipi serb pro-rus mund të tentojë ta shfrytëzojë vëmendjen ndërkombëtare të fokusuar në Ukrainë, për të destabilizuar fqinjët e saj, veçanërisht Bosnjën ku serbët kanë kërcënuar të bashkohen me Serbinë.

Paqeruajtësit e Bashkimit Evropian në Bosnjë kanë njoftuar vendosjen e rreth 500 trupave shtesë, duke përmendur “përkeqësimin e sigurisë ndërkombëtare që ka potencial për ta përhapur destabilitetin” në rajon.

Lidershipi i Kosovës frikësohet se Serbia mund të inkurajohet nga Rusia dhe të përpiqet të intervenojë në të me pretekstin që të ndalojë abuzimet e supozuara të pakicës serbe. Kosova i ka kërkuar NATO-s një rrugë të shpejtë për anëtarësim pas krizës në Ukrainë, gjë që as Serbia e as Rusia nuk do ta pranonin paqësisht.

Zyrtarët e Kosovës i kanë hedhur poshtë krahasimet e Putinit ndërmjet ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe pushtimit të tij në Ukrainë si diçka “krejtësisht të pabaza dhe qesharake”.

Të ngjashme