“S’i takon Kosovës të vendosë se kush e përfaqëson BE-në në dialog”

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Qasja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi karshi përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi i ka zemëruar disa diplomatë në BE, të cilët thonë se “nuk e dinë arsyen pse Thaçi sillet në këtë mënyrë”, por “shpresojnë që edhe ai do të bashkëpunojë me Lajçakun, i cili e ka mbështetjen e shteteve kryesore të BE-së”.

Thaçi më parë ka përmendur edhe votimin e Sllovakisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe Interpol, edhe pse, kanë thënë burimet nga autoritetet e Kosovës, Lajçak kishte dhënë premtime se vendi i tij nuk do të jetë kundër.

Në BE pohojnë se “nuk i takon Kosovës të vendosë se kush do ta përfaqësojë Bashkimin Evropian”, por e pranojnë se ka pasur edhe zëra kritikë nga Prishtina kur u kuptua se Lajçak do ta marrë këtë post, dhe atë nga një ish-ministër tjetër, vendi i të cilit ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës, nga përfaqësuesi tashëm i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se “nga pala kosovare asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë kundërshtim formal ndaj emërimit të Lajçakut”, prandaj edhe habiten me sjelljen e tashme të presidentit Thaçi.

Sa i përket vizitës që pritet të ndodhë javën e ardhshme, në Prishtinë, të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Thaçi ka thënë se rreth takimit me të do të përgjigjet pasi të njoftohet me agjendën dhe prioritetet e tij. Ka shtuar se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar rreth vizitës së Lajçakut.

“Ende zyrtarisht s’jam i informuar, por do ta shohim agjendën dhe prioritetet që i ka në përkushtimin e tij si përfaqësues i BE-së. Pastaj do të përgjigjem si president i vendit. Por, për neve është me rëndësi që përfaqësuesit ndërkombëtarë që merren me këtë çështje ta trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme