Si u aktivizuan gjermanët e francezët për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë

Prishtinë | 21 Pri 2020 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh në kuadër të dialogut të Brukselit, megjithatë shumica e tyre kanë mbetur të pazbatuara. Nga Bashkimi Evropian ndërkohë përveç thirrjeve për zbatim, nuk shihej ndonjë angazhim konkret për të shtyrë përpara Prishtinën dhe Beogradin në implementimin e marrëveshjeve të tilla, siç është kjo në fushën e energjetikës.

Pavarësisht faktit se një marrëveshje e tillë ishte nënshkruar në vitin 2013, janë dashur të kalojnë 7 vjet që shtetet e BE’së të bëjn presion dhe të angazhohen për zbatimin e një marrëveshje të tillë, që rezulton me pavarësimin e Kosovës në fushën e energjetikës. Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel kanë pasur një rol jetik që Prishtina dhe Beogradi të pajtohen për zbatimin e një marrëveshje të tillë.

Hise për një sukses të tillë ka marrë edhe Franca e presidentit Emanuel Macron. Përmes një postimi të Ambasadës së Francës në Prishtinë, thuhet se Parisi zyrtar ka luajtur një rol aktiv për krijimin e një zgjidhje teknike që do të përmirësojë efektivitetin e energjisë dhe do të lehtësojë zhvillimin ekonomik të Kosovë.

“Me Bashkimin Evropian dhe vendet tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë, Franca ka luajtur një rol aktiv për krjimin e një zgjidhje teknike që do të përmirësojë efektivitetin e energjisë dhe do të lehtësojë zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thuhet në reagimin e Ambasadës Franceze.

Për një zhvillim të tillë kanë reaguar edhe krerët e shtetit të Kosovës. Presidenti Hashim Thaçi e ka cilësuar si një hap të madh përpara, pavarësimin energjetik të Kosovës nga Serbia.

“Falendërues për të gjithë aleatët, për mbështetjen e palëkundur”, ka shkruar Thaçi në tëitter.

Derisa kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke thënë se një zhvillim i tillë do t’i mundësojë tashmë Kosovës çasje në tregun rajonal.

Kryenegociatorja Edita Tahiri ndërkohë ka treguar se marrëveshja për fushën e energjetikës ishte nënshkruar në vitin 2013. Ajo ka thënë se KOSTT ishte anëtarësuar ne ENTSO në vitin 2015, por ka shtuar se zbatimi i një marrëveshje të tillë ishte penguar vazhdimisht nga Beogradi zyrtar.

Ky aktivizim i Berlinit zyrtar dhe Parisit për implementimin e marrëveshjeve të arritura mes Prishtinës dhe Beogradit, vjen pas një angazhimi aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Duket se tashmë dy qendrat e Evropës, Berlini dhe Parisi, duan t’i dërgojnë mesazhe Ëashingtonit, se mund të arrijnë rezultate sa i përket problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë vitit të kaluar Franca dhe Gjermania kishin udhëhequr përpjekjet për rikthimin e Kosovës dhe Serbisë në dialog me qëllim të arritjes së një marrëveshje finale, megjithatë taksa e vendosur nga Ramush Haradinaj kishte minuar çdo përpjekje duke qenë se Beogradi refuzonte të kthehej në tryezën e negociatave pa u hequr taksa.

E një ngërç të tillë e kishte shfrytëzuar Washingtoni, duke u rikthyer fuqishëm në proces përmes emërimit të dy emisarëve, njërit për Ballkanin Perëndimor dhe tjetrit enkas për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, i cili ka marrë mbështetjen e presidentit Trump, e kishte nisur furishëm përfshirjen e tij në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi duke shtyrë palët drejt nënshkrimit të tri marrëveshjeve. Emisari amerikan deri tani ka shtyrë përpara vetë të gjithë procesin, pa u koordniuar me Bashkimin Evropian. Grenell thoshte se kush dëshiron të ndihmojë është i mirëseardhur në proces.

Megjithatë nga Bashkimi Evropian, sidomos nga Gjermania, insistohet se dialogu i vetëm është ai që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Lidhur me një ‘garë’ të tillë mes Evropës dhe Amerikës sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, në një intervistë për RTV 21 ka folur edhe ish-kryeministri Isa Mustafa.

Ai ka pranuar se ekzistojnë mospajtueshmeri mes Washingtonit dhe Brukselit sa i përket dialogut dhe kishte potencuar se një gjë e tillë po e lëndon Kosovën.

Të ngjashme