Simiq: Nuk marim pjesë në seanca derisa të zgjidhet çështja e “Trepçës”

Prishtinë | 11 Tet 2016 | 09:21 | Nga

“Ngrirja” e pjesëmarrjes së deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës është vendim i kësaj liste dhe do të jetë në fuqi deri në ndonjë vendim të ardhshëm, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Sllavko Simiq, kryetar i Listës Serbe dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, të hënën, nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, dhe siç ka thënë Simiq, kjo është bërë në shenjë kundërshtimi ndaj miratimit të Ligjit për Trepçën nga ana e legjislativit të vendit.

“E kemi ‘ngrirë’ pjesëmarrjen tonë në Kuvendin e Kosovës dhe në organet e Kuvendit deri në një vendim të ardhshëm. Pra, presim që për çështjen e Trepçës të gjendet një konsensus më i fuqishëm dhe që çështja e Trepçës të zgjidhet përmes bisedimeve.”

“Thjeshtë, as përfaqësuesit politik të serbëve, as menaxhmenti i Trepçës e as qeverisjet lokale në territoret e të cilave gjendet pjesa më e madhe e Trepçës, nuk janë konsultuar dhe nuk kanë marrë pjesë në punimin e projektligjit. Kështu që, për neve, ligji, në formën e tanishme është i papranueshëm”, ka thënë Simiq.

Ai ka theksuar se është duke pritur reagimin e partnerëve të koalicionit, por edhe të Bashkimit Evropian, i cili sipas tij, ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka insistuar për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës nga radhët e Listës Serbe, përmes transmetuesit publik të Serbisë ka porositur përfaqësuesit e kësaj liste në Qeverinë e Kosovës që ta braktisin ekzekutivin. Kjo, për shkakun se, kërkesa e kësaj liste për ta shtyrë shqyrtimin e projektligjit për Trepçën ishte refuzuar nga legjislativi, i cili më pas ka miratuar ligjin.

“Thjeshtë, duhet të gjithë ta kuptojnë se sa është e rëndësishme kjo për të gjithë ne dhe nëse mbeten të shurdhër dhe memec ndaj kësaj, atëherë rekomandimi im personal do të jetë që ta braktisim qeverinë. Ndërkaq, do të shohim se cili do të jetë vendimi i Listës Serbe në tërësi”, ka theksuar Stojanoviq.

Në anën tjetër, ‘ngrirja” e pjesëmarrjes në Kuvendin e Kosovës i përfaqësuesve të Listës Serbe, por edhe rekomandimet nga zëvendësministri Stojanoviq që ata ta braktisin qeverinë e vendit, nuk e rrezikon koalicion qeverisës, kanë vlerësuar përfaqësuesit e dy subjekteve politike, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëkohësisht edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se bojkoti ndaj institucioneve nga ana e përfaqësuesve të Listës Serbe nuk e rrezikon koalicionin qeverisës.

“Nuk e rrezikon aspak koalicionin e as punën e Kuvendit. Por, ajo që nuk është e mirë, bojkoti nuk është zgjidhje. Nuk ka kompromis me çështjet që janë nacionale, me interes të vendit, të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës. Por, nuk është as në interesin e vet serbëve që ta zgjedhin rrugën e bojkotit, kur duhet të marrin përgjegjësi. Është në interesin e vet komuniteteve që të jenë pjesë e institucioneve”, ka thënë Veseli.

Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka theksuar se Lista Serbe apo cilido subjekt politik nuk mund të imponojë zgjidhje me shantazh dhe kërcënim.

“Lista Serbe ose kushdo qoftë – qoftë edhe ndonjë parti politike shqiptare, por në këtë rast veçmas Lista Serbe – nuk mund të shantazhojë dhe nuk mund të kërcënojë dhe të na imponojë zgjidhjet që janë ligjore dhe që është e drejtë e jona.”

“Fundja, ne e kemi pasur këtë obligim dhe e kemi kryer atë. Nuk kemi ndonjë paralajmërim se ata do ta bojkotojnë, po flas për paralajmërim zyrtar, por është e vërtetë se ata sot s’kanë qenë. Sa mund ta rrezikojë kjo koalicionin? Unë nuk mendoj se mund ta rrezikojë”, ka thënë Beqiri.

Sidoqoftë, Simiq ka theksuar se Lista Serbe është duke pritur një zgjidhje lidhur me Trepçën. Sipas tij, “çfarëdo hyrje në ndonjë fazë, e cila mund të sillte deri te destabilizimi – jo vetëm i Kosovës, por edhe i rajonit” – Lista Serbe nuk e dëshiron”. (REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme