Sipas AAK-së, pa përfshirjen e ShBA-së në dialog s’ka garanci se mund të arrihet marrëveshja finale

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Time Kadrijaj, deputete e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se marrëveshja e Washingtonit ka konfirmuar rolin kyç të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas saj, një marrëveshje finale me Serbinë nuk është e garantuar, pa përfshirjen e SHBA-së.

“Është bërë një dekadë prej nisjes së dialogut. Gjatë këtij procesi u bë aq keq puna sa që Kosova përfundoi me proces jotransparent ku diskutoheshin edhe territoret e cenohej edhe sovraniteti i saj. I gjithë ky proces i udhëhequr nga BE-ja degradoi deri në atë pikë ku Kosova mbeti spektatore në tavolinë. Kosova hodhi hap të madh përpara me marrëveshjen në Washington. SHBA-ja rikonfirmoi rolin e madh. Presim që edhe BE-ja të tregojë seriozitetin e njëjtë me njohjen nga shtetet që s’e kanë njohur Kosovën si dhe përmbushjen për premtimin për liberalizim të vizave, që ne t’i marrim seriozisht përpjekjet e tyre”, ka thënë ajo. “Pa SHBA-në s’ka garanci që një marrëveshje finale mund të arrihet e që mund të implementohet edhe nëse arrihet”.

Kadrijaj tutje ka kërkuar bashkim të spektrit politik, pushtet e opozitë, për fazën e ardhshme të dialogut.

Të ngjashme