Sipas ‘mund’ në Kushtetutë, Osmani ia dha VV-së dy anëtarë në KQZ, por s’veproi njëjtë me të tjerët

Prishtinë | 18 Maj 2021 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 14 maj ka emëruar 8 anëtarë të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për emërimin e dy anëtarëve të tjerë nëpër vende të cilat Kushtetuta e specifikon se mund të emërohen nga grupe të tjera parlamentare, shkruan Gazeta Metro.

Osmani ka emëruar Sami Kurteshi (LVV), Alim Rama (LVV), Arianit Elshani (PDK), Florian Dushi (LDK), Ibrahim Selmonaj (AAK), Gordana Laban Zuvić (LS), Rifat Krasniç (KDTP), Fazli Stollaj (IRDK) në KQZ, ndërsa për dy vende të tjera iu është drejtuar Kushtetuteses.

“Përkatësisht, kërkesa për interpretim adreson paqartësitë e ngritura në dy raste. Së pari, kërkohet interpretimi, në frymën e Kushtetutës, i nocioneve “grupi” a “grupet” të interpretuara së bashku me fjalën “mund” (në nenin 139(4), në rastin kur kemi më pak se gjashtë subjekte politike të përfaqësuara në Kuvend dhe të cilat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara si dhe kur njëri grup fiton mbi 50% të votave në zgjedhje. Së dyti, kërkohen sqarime lidhur me emërimin e përfaqesuesit nga komuniteti boshnjak kur kemi tri subjekte politike në Kuvend të cilat e përfaqësojnë këtë komunitet dhe kanë numër të barabartë të deputetëve të përfaqësuar në Kuvend. Me të marrë përgjigjen nga Gjykata Kushtetuese, Presidentja e Republikës së Kosovës do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për emërimin e dy anëtarëve të mbetur të KQZ-së.”, u arsyetua Osmani.

Çfarë thotë Kushtetuta?

Sipas Kushtetutës së Kosovës, 6 anëtarë emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare, 1 anëtarë emërohet nga deputetët e komunitetit serb ndërsa 3 vende janë për deputetët e komuniteteve tjera në Kosovë.

Në këtë rast, kur janë vetëm 4 grupe parlamentare në Kuvendin e Kosovës, Osmani sipas Kushtetutës ia ka dhënë dy anëtarë Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga 1 anëtarë subjekteve të tjera, por i ka dërguar për interpretim në Kushtetuese dy vende të tjera.

Kështu, Osmani ia dha dy anëtarë Lëvizjes Vetëvendosje njëlloj siç specifikohet në nenin 139, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës, por kështu nuk ka vepruar edhe me 2 vendet e tjera që sipas praktikave të mëhershme, por edhe sipas njohësve të procesit do të duhej të ndaheshin njëlloj sikur në raundin e parë, duke filluar nga subjekti më i madh.

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus, duke kritikuar praktikën e presidentëve për të cilët thotë se e kanë bërë Gjykatën Kushtetuese si Zyrë Ligjore, ka thënë se në rastin kur numri i grupeve parlamentare është më i vogël se gjashtë, ndarja e vendeve të mbetura bëhet sipas formulës së raundit të parë.

“Nëse janë më pak se gjashtë grupe parlamentare, fillimisht ndahet nga një anëtarë për secilin grup parlamentar. Pastaj në raundin e dytë shpërndahen vendet e mbetura sipas formulës së njëjtë të ndjekur në raundin e parë, duke nisur nga grupi më i madh dhe vazhduar tek grupet tjera sipas madhësisë, derisa të shpërndahen të gjitha vendeve të mbetura. Në rastin e tanishëm, emërimet duhet të bëhen kështu: VV dhe PDK nga dy anëtarë, kurse LDK dhe AAK nga një anëtar.”, tha Krasniqi.

Vitin e kaluar, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte emëruar 10 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke ia dhënë dy anëtarë Lëvizjes Vetëvendosje si subjekti i parë i dalur nga zgjedhjet.

Meqenëse ishin 5 grupe parlamentare, atëherë ishte vetëm një vend i lirë, për dallim nga ky vit kur janë 4 grupe parlamentare dhe janë 2 vende të lira për anëtarë shtesë.
Thaçi aso kohe kishte emëruar: Sami Kurteshi (VV), Alim Rama (VV), Sami Hamiti (LDK), Arianit Elshani (PDK), Ibrahim Selmanaj (AAK), Nenad Rikalo (Lista Serbe), Eshref Vishi (NISMA-AKR-PD), Cemaijl Kurisi (VAKAT), Rifat Krasnic (KDTP) dhe Artan Asllani (PAI).

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar presidenten Osmani se nëpërmjet kësaj rruge po tenton t’ia vjedhë një anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Partisë Demokratike të Kosovës. Kështu është shprehur zyrtari i lartë i PDK’së, Betim Gjoshi në një konferencë për media.

“Duke iu bindur Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti, zonja Osmani po bën shkelje të Kushtetutës së Kosovës duke i pamundësuar Partisë Demokratike të Kosovës përfaqësimin e dytë në KQZ si dhe duke mos e njohur të drejtën e subjektit politik VAKAT, më i votuari në radhët e subjekteve të komunitetit boshnjak. Ne jemi të shqetësuar nga faktet e prezantuara në media, që tregojnë se zonja Osmani po shfrytëzon zyrën e Presidencës për nevoja të subjektit të saj politik, iniciativës qytetare “Lista Guxo”. Anshmëria politike e Presidentes Osmani, duke favorizuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe subjektin e saj “Lista Guxo” është e rrezikshme për demokracinë dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese. Është shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë ai.

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ‘mund’ në nenin 139, paragrafi 4 sipas të cilit, Osmani ia dha dy anëtarë Vetëvendosjes, por nuk veproi njëjtë me grupet e tjera parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme