Sistemi i drejtësisë dhe politika po i frikësohen vettingut, qeveria e ardhshme ta përfundojë këtë proces

Prishtinë | 19 Tet 2019 | 08:12 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sundimi i ligjit vazhdon të mbetet hallka më e dobët në zinxhirin e shtet-ndërtimit dhe qeverisjes në Kosovë, por që gjendja e krijuar prej shumë vitesh, mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të procesit të vettingut, në polici, prokurori e gjyqësor.

Procesi i vettingut, sipas njohësve të çështjeve juridike, është thelbësor në fillimin e zbatimit të një reforme të thellë në drejtësi.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit i Kosovës për Drejtësi (IKD), ende nuk ka pasur vullnet politik që ky proces të jetësohet, pasi i njëjti prekë shumë persona nga sfera politike e vendit.

Miftaraj në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se shpresa për një krijim të procesit të vettingut, mbetet te Qeveria e re.

Sipas Miftarajt kanë qenë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ata që në plan-programin e tyre i kanë kushtuar rëndësi të madhe këtij procesi.

“Nëse marrim për bazë rezultatet e fundit, të 6 tetorit, kemi 2 parti politike që janë duke bërë përpjekje për ta bërë qeverinë e re, e të dy këto parti si Lëvizja Vetëvendosje, ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në plan-programin e saj qeverisës, i kanë kushtuar rëndësi jashtëzakonisht të madhe vettingut sistemin e drejtësisë”.

“…ne mbesim me shpresë që këto dy parti politike gjatë hartimit të plan-programit do t’i japin një shtysë këtij procesi, në mënyrë që procesi i vettingut të bëhet në bazë të një procesi të paanshëm të bazuar në rregulla i cili do të mundësonte të bënte, depolitizimin e sistemit të drejtësisë por edhe dekriminializimin e këtij sistemi nga persona që tani më në publik janë të dyshimtë se kanë afera korruptive”.

“Unë besoj që qytetarët përveç sferave tjera që janë në interes për ta, procesi i vettingut është një ndër më të rëndësishmet për këtë qeveri të ardhshme e cila do të ishte parakusht për të përmirësuar, llogaridhënien, efikasitetin dhe transparencën të sistemit të drejtësisë”.

Miftaraj shprehet se edhe brenda vetë sistemit gjyqësorë e prokurorial, ka pasur persona të cilët kanë qenë të lidhur me politikën dhe grupet e interesit, të cilët me forcat e tyre, kanë bërë gjithçka vetëm që procesi të dështojë.

“Ministria e drejtësisë është në fazën finale të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë, ky proces i rishikimit për herë të parë ka bërë një skanim gjithëpërfshirës të gjendjes në sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë, ka gjetur të meta, probleme të cilat kanë ndikuar që sot qytetarët mos t’i realizojnë të drejtat e tyre nga ana e gjykatave dhe institucioneve të drejtësisë, sigurisht që ka pas mungesë të vullnetit politik, që këtë proces kaq të rëndësishëm të ia jep prioritetin që e ka e që do të ndikojë në realizimin e të drejtave të qytetarëve”.

“Brenda vetë sistemit gjyqësor dhe prokurorial, kemi persona që janë të lidhur me politikën dhe grupet e interesit të cilët në kuadër të kompetencave dhe forcave të tyre kanë bërë gjithçka që procesi i vettingut të dështojë. Me një vullnet politik të qeverisjes së ardhshme edhe ky proces i vettingut mund të realizohet dhe do të jetë një garanci e mirë për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe që ligjin  e zbatojnë jo në bazë të emrave që i kanë por edhe në bazë të asaj që të gjithë të marrin drejtësi, të gjithë ti realizojnë të drejtat e tyre”.

Miftaraj thotë se ende partitë politike nuk kanë vullnet që ti’a bëjnë vettingun vetvetes.

“Në këto zgjedhje pothuajse të gjitha partitë politike, duke i përjashtuar disa, në listat e tyre kanë pas persona të akuzuar, dënuar dhe karakteristikë ka qenë që në listën e koalicionit AAK-PSD, ka pas një numër të madh të kandidatëve me aktakuza dhe të dyshuar për vepra penale korruptive, disa prej tyre tani më kanë marrë votat e popullit dhe do t’i shohim në legjislaturën e ardhshme”.

“…në këtë drejtim nuk ka pasur vullnet politik, pa dyshim nga të gjitha partitë politike që të bëjnë dekriminalizimin e vetvetes, ne besojmë që ende nuk janë pjekur kushtet pasi nuk kemi vullnet të partive politike që ta bëjnë vettingun e vetvetes, pasi që të mirat dhe të këqijat në një shoqëri demokratike vijnë nga vetë politika”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Kosova duhet sa më parë të fillojë procesin e vettingut. Hasani shprehet se më shumë se sistemi i drejtësisë, është politika që ka nevojë për një proces të filtrimit.

Ai propozon që secili person që synon kuvendin dhe ekzekutivin duhet fillimisht t’i nënshtrohet procesit të vettingut, në mënyrë që të bëhet e ditur prejardhja e pasurisë së tyre.

“Kur është votuar Ligji në Komisionin e Venecias për vettingun unë kam qenë përfaqësues i Kosovës atje dhe i vetmi që kam fol dhe e kam përkrahur më ‘mish e me shpirt’ dhe unë edhe sot e përkrahu një vendim të tillë. Sot besoj që vendet e Ballkanit kanë nevojë për një proces të tillë”.

“Kosova duhet ta ndjek rrugën e Shqipërisë dhe duhet që atij ligji t’i ndryshohet titulli dhe ai proces të nisë ‘sahat e para’. Mendoj që në të ardhmen duhet që projektligji të saktësojë që t’u ndalohet hyrja në politik, në kuvend atyre që nuk mund të arsyetojnë prejardhjen e pasurisë”.

“Sepse politika po prodhon drejtësi korruptive. Kjo do të ishte goditja më e madhe dhe pastrimi më i madh që mund t’i bëhet skenës politike”, përfundon ai.

Ndërsa sipas avokatit Tomë Gashi, disa gjyqtarë e prokurorë janë shndërruar si persona të përdorur, andaj sipas tij ata e kanë humbur idenë e funksionalizmit të drejtësisë, raporton EO.

“Është thënë gjithmonë prej Albin Kurti që me ardhjen e tij në pushtet me ardhjen e tij si kryeministër i Kosovës do të formohen kushtet fillestare që të kemi një vetting në të gjithë sistemin juridik apo gjyqësor të Kosovës që të gjithë ata të testohen një herë e përgjithmonë që të dihet se a e kanë vendin aty”.

“Disa prej gjyqtarëve dhe prokurorëve duket se e kanë humbur idenë e funksionalizimit të drejtësisë sepse janë shndërruar në mashë apo janë shndërruar si persona që përdorën apo janë përdorur deri me tani nga politikanë të caktuara dhe nga parti të caktuara politike, besojë që me ardhjen e Albin Kurtit në qeveri, kjo një herë e përgjithmonë do të jetë temë e kaluar dhe do të duhej që me anë  te vettingut të zgjidhen dhe të mbesin në punë ata gjyqtarët dhe prokurë të cilët e meritojnë dhe të cilët nuk janë shumë të politizuar dhe që janë profesionist”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme