S’ka dialog pa përfunduar zgjedhjet në Serbi, aplikimi për statusin e kandidatit për BE mund të mbetet në sirtar

Prishtinë | 05 Shk 2022 | 08:32 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bisedimet Kosovë-Serbi tash e dy vite janë rikthyer në dialog teknik, ndërsa ShBA-ja ka nisur të çojë peshë më të rëndë përbrenda procesit dialogues, raporton Ekonomia Online.

Ardhja e emisarit amerikan, Gabriel Escobar në Kosovë e Serbi, u tha se ka për synim rinisjen e dialogut, e që synim kanë marrëveshjen finale me njohje reciproke.  

Njohësit e çështjeve politike në vend, theksojnë se dialogu tash e sa vite nuk ka lëvizur ende, teksa thonë se nuk pritet të ketë takime derisa të përfundojnë zgjedhjet në Serbi.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kanë kaluar dy vjet që nuk ka lëvizje sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërsa mundësia e aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit, është i pamundur për Shashën pa një progres në dialogun me Serbinë, duke shtuar se një aplikim i tillë mund të mbettë në sirtarë të Bashkimit Evropian.

“Dialogu nuk ka lëvizë tani e dy vjet. Nuk ka asnjë progres takimet janë mbajtur. Ajo çfarë po shohim është rritje e vëmendjes amerikane. Pra kemi parë diplomat të nivelit të lartë të cilët janë dërguar në Beograd dhe Prishtinë dhe po shohim tani atë që komunikoi zotëri Blinken që për rrugën e faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës dialogu është gjëja më e rëndësishme. Unë mendoj që statusi i vendit kandidat është i pamundur të arrihet pa progres në dialog me Serbinë. Pra BE-ja ka qenë e qartë që çfarëdo progresi në agjendën integruese të Kosovës është i lidhur me progres në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kam frikë se nëse Kosova aplikon për statusin e vendit kandidat ai aplikim nuk do të merret fare në konsideratë. Pra do të mbesë në sirtarë të Bashkimit Evropian dhe si i tillë nuk do të trajtohet fare”, ka thënë Shasha.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë se pa një marrëveshje finale, Kosova nuk mund të fillojë të përgatisë aplikacionin për integrim në Bashkimin Evropian.

“Derisa ne e shohim që kemi zgjedhje presidenciale në Serbi unë mendoj që nuk pritet të ketë takime derisa të përfundojnë zgjedhjet në prill në Serbi. Sapo të përfundojnë zgjedhjet Serbia me shumë gjasë mund të ketë menjëherë takime. Çështjet që kanë mbetur është çështja e njohjeve reciproke kryesisht krijimit të asociacionit. Ne kemi parë që qeveria e Serbisë vazhdimisht ka kërkuar të zbatohet marrëveshja e Brukselit në anën tjetër e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila kërkon që ajo marrëveshje të mos zbatohet për shkak se shkel parimet e kushtetuese. Këto janë çështjet kryesore që në një farë mënyre kanë bllokuar procesin e dialogut. Sapo të përfundohet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë atëherë mendoj që kjo i hapë rrugë integrimeve Euroatlantikë të Kosovës dhe Kosova mund të fillojë të përgatisë aplikacionin për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Demhasaj.

Të ngjashme