S’ka ende datë për takimin e radhës Kurti-Vuçiq

Prishtinë | 14 Sht 2022 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse në takimin e fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel, pati dakordim për takime të rregullta në baza mujore, një takim i radhës i nivelit të lartë nuk është konfirmuar ende.

Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për Kohën të mërkurën ka thënë se nuk ka datë të konfirmuar për takimin që pritet të mbahet në shtator.

Sipas saj, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë për takime të tilla, që i shërbejnë arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme.

“Nga takimi i datës 18 gusht, ka pasur një pajtueshmëri që të ketë takime të rregullta të nivelit të lartë politik në baza mujore. Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë dhe interesimin për takime të tilla që i shërbejnë arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Aktualisht ende nuk ka një datë të konfirmuar për takimin e radhës që pritet të mbahet në muajin shtator”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Të ngjashme