“S’ka koalicion PAN – AKR me ndërmjetësim të Edi Ramës”

Prishtinë | 19 Kor 2017 | 16:17 | Nga

Aleanca Kosova e Re (AKR) nuk do t’i bashkohet koalicionit PAN. Raportimet se një gjë e tillë do të ndodhë sonte në rezidencën e Pacollit, hidhen poshtë nga Korab Sejdiu i AKR-së. Krejt këto Sejdiu i quan lajme të rreme. Kurse bën të ditur se do t’i qëndrojnë besnik partnerit të koalicionit.

Ndonëse u raportua se Aleanca Kosova e Re (AKR) sot do t’i bashkohet koalicionit PAN, dhe se marrëveshja pritet të nënshkruhet rreth orës 18:00 në rezidencën e Pacollit në Hajvali me ndërmjetësimin e Edi Ramës si negociator, një gjë të tillë e mohojnë zyrtarë të kësaj partie.

Korab Sejdiu, anëtar i kryesisë së AKR-së, bën të ditur për Express se të gjitha raportime për këtë situatë janë “fake news”.

“Jo nuk ka asgjë të vërtetë lidhur me këtë fake news”, është shprehur ai, derisa ka theksuar se nuk lëkunden nga qëndrimet e tyre të mëparshme sikurse edhe koalicionit me LDK-në e Alternativën.

“Ne i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë fillestar dhe partnerëve tanë të koalicionit”, ka përfunduar ai.

Kohët e fundit vazhdimisht ka pasur raportime se AKR-ja do ta “tradhtojë” LDK-në duke iu bashkuar kështu koalicionit PAN.

Por një veprim të tillë e kanë mohuar edhe LDK-ja të cilët janë shprehur të sigurt se koalicioni i tyre parazgjedhor do të qëndrojë deri në fund.

Ndryshe, sot gjatës ditës, edhe Rrahim Pacolli nga AKR-ja u pa së bashku me presidentin Thaçi e kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, sikurse edhe Sami Lushtakun.

E kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se nuk është në dijeni për ndonjë takim të iniciuar nga subjekti i tyre me personat e lartpërmendur.

Zgjedhjet janë mbajtur më 11 qershor, pasi Qeveria “Mustafa” u rrëzua në Parlament përmes mocionit të opozitës. (GazetaExpress)

Të ngjashme