S’ka kuorum për Projektligjin për pagën minimale, ndërpritet seanca

Prishtinë | 06 Qer 2022 | 13:03 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje në lidhje me votimin në parim të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, raporton Ekonomia Online.

Në votim morën pjesë vetëm 51 deputetë, gjë e cila pamundësoi miratimin e projektligjit në lexim të parë.

“Vetëm 51 deputetë kanë votuar për këtë projektligj, Kuvendi nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje”, ka konstatuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Më pas kryeparlamentari Konjufca ka ndërprerë punimet e seancës, pasi sipas tij nuk ka kushte që të vazhdojnë tutje.

Projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë, ka dështuar të votohet edhe në muajin e kaluar. Prej 73 deputetëve të pranishëm në sallë vetëm 56 prej tyre kishin votuar për këtë projektligj.

Ndërkohë veteranët e UÇK-së kanë protestuar duke u futur brenda oborrit të Kuvendit, duke kërkuar që të mos përjashtohen nga Ligji për pagën minimale.

Derisa votohej, deputetë të PDK-së thirrnin “Marre, marre, marre”.

Të ngjashme