S’ka kuorum për votimin e rezolutës për dialogun me Serbinë, Haliti i çon në pushim veror deputetët

Prishtinë | 30 Kor 2018 | 20:26 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës, në mungesë kuorumi, nuk ka votuar rezolutën për dialogun Kosovë-Serbi, të propozuar nga Grupi Parlamentar i PSD-së.

Pas një diskutimi të ashpër i cili ka vazhduar për dy ditë në Kuvendin e Kosovës, në fund nuk ka pasur kuorum për ta votuar rezolutën, e cila mes tjerash kërkon që përgjegjësia për mbarëvajtjen e procesit të dialogut i takon Kuvendit të Republikës. Pavarësisht kësaj, deputetët shkojnë në pushime verore.

Visar Ymeri, propozues i diskutimit për dialogun Kosovë-Serbi, iu bëri ftesë grupeve parlamentare që ta plotësojnë rezolutën para se të votohet në Kuvend.

“Unë jam i gatshëm të takohem me grupet parlamentare që ta diskutojmë dhe ta plotësojmë rezolutën para se ajo të hidhet në votim”, tha ai.

Kryesuesi i kësaj seance, Xhavit Haliti, e mbylli seancën duke paralajmëruar se po mbyllet edhe sesioni pranveror i punës së Kuvendit.

Rezoluta mund të votohet në shtator, ndërkohë që bisedimet janë paralajmëruar të vazhdojnë edhe gjatë verës.

Rezoluta për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e propozuar nga Grupi Parlamentar i PSD-së, ka 4 pika:

1. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës dakordohen që përgjegjësia fundamentale për mbarëvajtjen e procesit të dialogut i takon Kuvendit të Republikës, duke qenë organi më i lartë legjislativ e vendimmarrës në vend;

2. Me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi e miraton Platformën Shtetërore për Dialogun e cila do të shërbejë si dokument bazë i parimeve themeltare dhe të pozicioneve shtetërore në këtë proces të rëndësishëm;

3. Me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi e mandaton bartësin/t e dialogut. I/të mandatuarit mbahen përgjegjës nga Kuvendi përgjatë secilës fazë të dialogut, dhe marrin vendime vetëm në dakordancë të plotë me të. Kuvendi i Republikës së Kosovës ruan të drejtën e shkarkimit të bartësit/ve kurdo që vlerëson se janë shkelur parimet themeltare të Platformës dhe kur procesi rrezikon të dalë jashtë kornizave të saj;

4. Kuvendi i Republikës, në pajtim me Nenin 69 paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit e themelon një Komision të veçantë që do ta monitorojë për së afërmi procesin e dialogut. Ky Komision do të jetë përgjegjës që ta njoftojë Kryesinë e Kuvendit dhe Seancën Kuvendore për çdo zhvillim në procesin e dialogut – e po ashtu të kërkojë debate të rregullta parlamentare gjatë kohëzgjatjes së tij. Komisioni për Mbikëqyrjen e Dialogut do të drejtohet nga Opozita parlamentare kurse përbërja e tij do të caktohet sipas formulës së përdorur në komisionet e rregullta të Kuvendit.

Të ngjashme