Kosova e vazhdon “moratoriumin”: S’ka njohje të reja, e as lobim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Prishtinë | 27 Shk 2022 | 08:20 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e partive opozitare, LDK dhe AAK, e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës se po e vazhdon “moratoriumin” për të mos aplikuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, megjithëse ai ka skaduar më 4 shtator 2021, sikur parashihej në Marrëveshjen e Washingtonit.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha për Ekonomia Online se ishin “kryqëzuar” nga Vetëvendosje kur kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Washingtonit dhe ishin pajtuar që të mos aplikonim për një vit.

Bajrami thekson se ka stagnim në njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, madje duket që nuk ka as lobim.

“Mendojmë që ka stagnim… Konsiderojmë që janë çështje që duhet të merren seriozisht, krahas adresimit të gjitha çështjeve që i kemi në politikën vendore. Me Marrëveshjen e Washingtonit ka qenë ai viti ku ne jemi pajtuar që të mos aplikonim një vit në organizata ndërkombëtare. Gjatë asaj kohe jemi kryqëzuar pse kemi pranuar një pauzë të tillë”.

“Mirëpo ka kohë që ajo ka përfunduar dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria nuk është në gjendje as të na thotë se në cilën organizatë kanë aplikuar dhe cili anëtarësim është duke ndodhur, ku janë duke lobuar dhe ku janë njohjet të cilat po i presim këta muaj”, tha Bajrami.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka folur për stagnim në dialogun me Serbinë. Sipas AAK-së, dialogu për çështjet teknike nuk duhet më të vazhdojë, por të rikthehet në tavolinë marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

“E kemi bërë të qartë si grup parlamentar i AAK-së që do të ketë mbështetje për të mbrojtur sovranitetin, integritetin dhe territorin e Kosovës në kufijtë ekzistues. Asnjë marrëveshje tjetër ne nuk do të mbështesim. Dialogu është ende në fazën teknike dhe nuk ka kaluar në atë politike për një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë Lekaj.

Marrëveshja e Washingtonit ishte nënshkruar më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të atëhershëm të ShBA-së, Donald Trump.

“Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”, ishte një nga pikat e Marrëveshjes së ashtuquajtur për normalizim ekonomik mes dy vendeve.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë (MPJD) nuk japin detaje se kur dhe në cilat organizata synon të aplikojë Kosova për anëtarësim.
“Ky është një proces që i nënshtrohet një analize të thellë të kushteve dhe rrethanave dhe bazohet në prioritetet e politikës së jashtme dhe interesat strategjike të vendit, por varet edhe nga afatet e aplikimit në organizatat ku synohet anëtarësimi”, thuhet në një deklaratë të MPJD-së për Radion Evropa e Lirë.

Aty theksohet se prioritet është “krijimi i një strategjie për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, por nuk jepen më shumë detaje.

Përgjigje të ngjashme, kjo ministri kishte dhënë edhe kur ishte pyetur para 7 muajsh.

Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në një numër organizata financiare dhe sportive ndërkombëtare, si: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.

Në plan-programin e Qeverisë aktuale të Kosovës, e cila është formuar në mars të vitit të kaluar, thuhet se “rëndësi të posaçme për Republikën e Kosovës paraqet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe kultivimi i fqinjësisë së mirë”.

Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij planifikon që gjatë vitit 2022 të dorëzojë kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por njohësit e kësaj fushe, thonë se gjasat janë pothuajse zero që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të miratohet.

Serbia ka nisur fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës në vitin 2017. Beogradi pretendon se janë rreth 18 shtete që i kanë tërhequr njohjet.

Fushata e Serbisë po ashtu ka bërë që Kosova të mos anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Në nëntor 2015, Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e UNESCO-s për vetëm 3 vota. Ndërsa më 2018, kishte dështuar të marrë dy të tretat e votave në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it.

Të ngjashme