S’ka pajtim për rrugëdalje nga bllokada parlamentare

Prishtinë | 07 Sht 2018 | 07:44 | Nga

Ka dështuar edhe përpjekja e radhës e Kuvendit që të miratojë një dokument për dialogun me Serbinë, një ditë para takimit të tretë të fazës përfundimtare në dialogun Kosovë-Serbi, ku presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do ta shtrojë si propozim “korrigjimin” e kufijve.

Kriza në vendimmarrje në Kuvend është demonstruar edhe të enjten për shkak të mungesës së konsensusit që të shtyhet përpara iniciativa e pushtetit për delegacionin negociator, dhe ajo e opozitës për rezolutën që synon t’ia ndalojë presidentit Hashim Thaçi t’i negociojë me Serbinë kufijtë e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Opozita më kot ka shpresuar në votat e premtuara të Nismës Socialdemokrate, e cila është pjesë e pushtetit.

Zyrtarë të këtij subjekti kanë pranuar se ka qenë lojë e tyre, për t’i çuar mesazh opozitës se nuk mund t’i shtyjnë vetë proceset e rëndësishme, pa konsensus edhe me pushtetin.

Derisa koalicioni qeveritar ka vendosur t’u rikthehet seancave të rregullta të Kuvendit prej 13 shtatorit, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar organizimin e protestave, me synimin që pjesë të tyre ta bëjë edhe LDK-në.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme