S’kryen punë presioni ndërkombëtar, VV-ja dhe LDK-ja pa marrëveshje

Prishtinë | 21 Dhj 2019 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Thirrjet e delegacionit gjerman, ato të ambasadave të huaja në Kosovë dhe të Zyrës së BE-së, kanë ndikuar që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pas 6 ditëve pa takim të zhvillojnë një të tillë në kuadër të arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

Por pavarësisht presionit, dy liderët e partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, nga takimi dolën pa rezultate.

Gjatë të enjtes dy anëtarë të Bundestagut gjerman, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Amerikane dhe ajo Britanike në Prishtinë kanë kërkuar që sa më parë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ta formojnë qeverinë e re.

Madje delegacioni gjerman, i udhëhequr nga Peter Beyer, bashkëpartiaku i kancelares Angela Merkel, pati kërkesa të qarta për dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ata kërkuan që LVV-ja dhe LDK-ja t’i lënë anash problemet teknike dhe të caktojnë takimin, i cili do t’i përmbyllte negociatat dhe do ta mundësonte marrëveshjen e koalicionit qeverisës, shkruan sot gazeta Zëri.

Thirrjet e ndërkombëtarëve ndikuan që Kurti e Mustafa pas gjashtë ditëve pa takim ta zhvillojnë një të tillë të premten, por pa rezultate. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme