Sllovakia e Lajçakut, Serbia dhe Bosnja votuan kundër Marrëveshjes së KOSST dhe ENTSO-E

Prishtinë | 21 Pri 2020 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Përveç Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, Kosovën nuk e votuan as Sllovakia e Lajçakut, Spanja e Borellit e Bullgaria e Apostolovës për t’u përfshirë në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO-E).

Heqja pa kushte e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, Kryeministrit Albin Kurti nuk po i kthehet me ndaljen e fushatës kundër Kosovës nga këto dy vende, ashtu siç nuk po i del e favorshme mbështetja për të Dërguarin Special të BE-së në Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shteti i të cilit, Sllovakia, nuk e njeh Kosovën dhe vazhdon të punojë kundër interesave të saj. Të tri këto shtete, kanë bërë të ditur burime të Periskopit, kanë votuar kundër marrëveshjes së KOSTT dhe ENTSO-E, e cila është miratuar të hënën nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale.

Votimi i marrëveshjes së përfshirjes së KOSTT në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO-E) do ta mundësojë integrimin e plotë të Kosovës në tregun rajonal dhe atë europian të energjisë elektrike. Me këtë marrëveshje, për të cilën është punuar për vite të tëra, Kosova ka fituar pavarësinë në fushën e energjisë, dhe ajo është cilësuar nga liderët kosovarë si një arritje e madhe dhe si një lajm i mirë.

Sipas të dhënave zyrtare, 22 anëtarë të kësaj organizate kanë votuar “për” marrëveshjen, 3 “kundër” dhe 4 kanë abstenuar. Tri votat “kundër”, siç mësohet, janë nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Sllovakia shteti prej nga vjen I Dërguari Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Katër abstenimet, ndërkaq, janë nga Spanja – shteti prej nga vjen Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borell, Bullgaria – shteti prej nga vjen Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, si dhe Greqia e Hungaria.

Votat kundër Kosovës vijnë pas vendimit të Qeverisë Kurti për heqjen pa kushte të taksës 100 %, pas dy ditësh kur Aleksandar Vucic dërgoi si ndihmë për Kosovën 1000 teste për coronavirusin, duke u shndërruar kështu në lajm ndërkombëtar për humanizmin dhe solidaritetin e Serbisë, si dhe pas një debati të madh lidhur me rolin e SHBA-së dhe BE-së në Dialogun Kosovë-Serbi. Kryeministri Albin Kurti ka kundërshtuar hapur Administratën e Presidentit Amerikan, Donald Trump, për qasjen e tyre lidhur me marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur “thikat mbi harta” në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa ka çmuar rolin e BE-së në këtë proces, i cili udhëhiqet nga Joseph Borell dhe Miroslav Lajçak, dy vendet e të cilëve, Spanja dhe Sllovakia, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës./Periskopi/

Të ngjashme