Smaili: Kryetari i Listës Serbe në Graçanicë, e propozoi zyrtarin e VV-së për nënkryetar komune

Prishtinë | 15 Qer 2021 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Artan Smajli, kandidat për nënkryetar të komunës së Graçanicës ka folur për zhvillimet e fundit që janë duke ndodhur në këtë komunë. Ai në emisionin “Frontal” në T7, tha se edhe pse ai është kandidat për nënkryetar të komunës së Graçanicës, nga komuniteti shqiptar, së fundmi nga Lista Serbe është propozuar që nënkryetar të jetë kryetari i Degës së VV-së në këtë komunë.

Ky i fundit, sipas Smailit nuk ishte pjesë e marrëveshjes me partitë shqiptarre, në zgjedhjet e 2017-ës.

“Në vitin 2017 gjithë subjektet politike shqiptare, në përjashtim të VV-së, në bashkëpunim me shoqërinë civile kemi bërë marrëveshje që te garojmë së bashku përmes një iniciative që quhet ‘Iniciativa qytatre shqiptare’ dhe e morëm një asamblist. Unë jam propozuar që të jem kandidat për nënkryetar nga komunitetet”, deklaroi Smajli.

Ai deklaroi se emërimi i kryetarit të Degës së VV-së për nënkryetar të komunës së Graçanicës, është bërë nga kryetari i komunës që vjen nga Lista Serbe.

“Nuk është shumë e rëndësishme se pse unë nuk u bëra nënkryetar. Qëllimi ynë ka qenë që ne të fitojmë një pozitë si është e nënkryetarit, por sipas informacioneve që tani janë edhe zyrtare është arritur një marrëveshje që kryetari i Degës së VV-së në Graçanicë të jetë nënkryetar nga komunitetet. Ai u propozua nga kryetari Popoviq”, ka thënë ai.

Smaili deklaroi se në rast se ka më shumë unifikim të subjekteve politike në Graçanicë, do të kenë më shumë asamblistë.

“Shpresoj që kjo të mos jetë një lojë e re e Listës Serbe. Unë as atëherë nuk e kam pasur qëllimin për përfitime personale, por qëllimi im është që ne shqiptarët të jemi popull i bashkuar. Ne tani shqiptarët i kemi mbi njëmijë vota në Graçanicë, besoj që nëse bëhemi të gjithë bashkë t’i marrim deri në tre asamblistë. Pjesë e marrëveshjes sonë nuk ka qenë VV-ja”, ka thënë ai.

Të ngjashme