Smaka në prag të vendimit të Kushtetueses: Zgjidhja është zgjedhjet

Prishtinë | 28 Maj 2020 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar dhe njëri prej hartuesve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka, ka thënë se Gjykata Kushtetuese do të duhej të konstatonte se dekreti i Presidentit Hashim Thaçi nuk është në harmoni me Kushtetutën.

Në Speciale të Klan Kosovës, ai ka thënë se në rrethanat aktuale, shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme është e vetmja zgjidhje.

“Nga teksti i Kushtetueses del se e vetmja zgjidhje do të ishte shpallja e zgjedhje të përgjithshme të parakohshme”.

Sipas tij, nuk ka bazë kushtetuese të merret ndonjë vendim tjetër.

“Shprehimisht me nenin 95, paragrafi i dytë, në atë dispozitë theksohet se subjekti politik i parë është ai që e propozon kandidatin dhe Presidenti e mandaton atë për formimin e qeverisë”.

“Pas votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë; atëherë VV e propozon kandidatin për mandatar. Presidenti e mandaton. Nëse dështon, vendi shkon në zgjedhje sepse nuk ka afat të dytë”.

Smaka ka shtuar se nevojiten pesë vota pro për të kaluar vendimi në Gjykatën Kushtetuese.

“Zgjidhja në rrethanat aktuale do të ishte të konstatohej se dekreti i Thaçit nuk ishte në harmoni me Kushtetutën – që do të thotë se duhet të shpallen zgjedhjet e parakohshme”.

Të ngjashme